Trafiku në Prishtinë Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qeveria ka ndarë 1 milion e 559 mijë euro për blerjen e veturave nëpër institucione

1 milion e 559 mijë euro është shuma që Qeveria e Kosovës ka ndarë për blerjen e automjeteve të reja për institucionet publike në buxhetin e Kosovës për vitin 2022, i cili pritet ta marrë dritën e gjelbër në Kuvendin e Kosovës.

Qeveria e Kosovës e ka miratuar projektligjin për vitin 2022 në vlerë totale prej 2.7 miliardë eurove.

Në kuadër të këtij buxheti për vitin 2022, Qeveria ka ndarë para edhe për blerjen e automjeteve zyrtare.

Nga 1 milion e 559 euro, vetëm 220 mijë euro janë para të ndara për vitin 2022 për blerjen e veturave për Qendrat e Punës Sociale në gjithë Kosovën ndërsa pjesa tjetër është bartur nga viti 2021.

350 mijë euro janë ndarë për Doganën e Kosovës, përkatësisht për blerjen e automjeteve për nevojat e Drejtorisë së Zbatimit të Ligjit në këtë institucion. Në vitin 2022 nuk janë ndarë para shtesë, por shuma prej 350 mijë euro është bartur nga viti 2021.

180 mijë euro të tjera janë për furnizim me vetura të reja për Doganën e Kosovës. Edhe në këtë rast nuk janë ndarë para në vitin 2022 por të njëjtat janë bartur nga viti 2021.

Për Qendrat Rajonale dhe për një divizin në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, në vitin 2022 nuk janë ndarë para shtesë për automjete të reja por janë bartur 30 mijë euro nga vitit 2021.

20 mijë euro janë buxhetuar për blerjen e dy veturave për Departamentin e Analizave të Tregut të Punës së Agjencisë së Punësimit. Edhe këtu, shuma prej 20 mijë eurove është bartur nga vitit 2021 dhe nuk janë ndarë para të reja për vitin 2022.

20 mijë euro të tjera janë ndarë për blerjen e 3 automjeteve për nevojat e Qendrës për Aftësim Profesional (QAP). As këtu nuk janë ndarë para shtesë, por kjo shumë është bartur nga viti 2021.

Për blerjen e veturave zyrtare për Inspektoriatin e Policisë së Kosovës (IPK), janë ndarë 151 mijë e 382 euro. Kjo shumë ëshë bartur nga viti 2021 por nuk është ndarë buxhet shtesë për vitin 2022.

Ndërsa për furnizimin e administratës së Komunës së Graçanicës me automjete janë ndarë edhe 20 mijë euro të tjera. Por kjo shumë nuk është buxhet i ndarë në vitin 2022 por është buxhet i bartur nga viti 2021.

Tutje, për vitin 2022 janë ndarë 30 mijë euro për Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, përkatësisht për blerjen e veturave speciale për mostrim dhe për Inspektoriatin e AUV-it. Paratë janë bartur nga viti 2021 dhe nuk ka para shtesë të ndara në vitin 2022 për këtë çështje.

Për Agjencinë e Inspektoriatit të Punës janë ndarë 85 mijë euro për blerjen e automjeteve. Shuma është bartur nga viti 2021 dhe nuk ka ndarje të reja buxhetore për vitin 2022.

30 mijë euro të tjera janë ndarë për vetura për Administratë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Diasporës. Këto mjete janë bartur nga viti 2021 dhe nuk ka para shtesë të ndara për vitin 2022.

Për blerjen e veturave për ambasada janë ndarë edhe 30 mijë euro të tjera poashtu të bartura nga viti 2021.

Për blerjen e veturave për Universitetin e Prishtinës janë buxhetuar 100 mijë euro që janë bartur nga viti 2021.

Shuma prej 65 mijë eurove është ndarë për Gjykatën Kushtetuese, gjithashtu për blerje të automjeteve. Kjo shumë është bartur nga viti 2021. Për Gjykatën Kushtetuese nuk është paraparë buxhet i ri për blerjen e veturave në vitin 2022.

Ndërsa për Agjencinë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës janë buxhetuar 143 mijë e 550 euro, të bartura nga viti 2021.

Për Qendrat e Punës Sociale në gjithë Kosovën janë ndarë 220 mijë euro për blerje të veturave, ndërsa për Administratën e Komunës së Pejës për blerje të veturave janë ndarë 85 mijë euro.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të 43-të ka miratuar buxhetin për vitin 2022. Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se buxheti ka për qëllim riorientimin e ekonomisë drejt eksportit.

Buxheti për vitin 2022, sipas shefit të Financave të vendit, do të jetë 2.7 miliardë euro, e që sipas tij, përfaqëson ndryshim në orientimin e financave publike.

“Në këtë ligj për buxhetin, ka edhe disa risi të tjera. Kemi ndarë një kontingjent për ligjet e reja që mund të priten gjatë vitit të ardhshëm, në vlerë 50 milionë euro”, tha Murati gjatë mbledhjes.