2.7 miliardë euro do të jetë buxheti për vitin 2022

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të 43-të ka miratuar buxhetin për vitin 2022. Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se buxheti ka për qëllim riorientimin e ekonomisë drejtë eksportit.

Buxheti për vitin 2022, sipas shefit të financave të vendit, do të jetë 2.7 miliardë euro e që sipas tij, përfaqëson ndryshim në orientimin e financave publike.

“Në këtë ligj për buxhetin, ka edhe disa risi të tjera. Kemi ndarë një kontingjent për ligjet e reja që mund të priten gjatë vitit të ardhshëm, në vlerë 50 milionë euro”, tha Murati gjatë mbledhjes.

Ai po ashtu tregoi se kanë një grat të ri për kreditë potenciale “me këtë ndryshim Qeveria ka fleksibilitet që për çdo projekt, të bëhet alokimi i mjeteve dhe të kryhet projekti”.

Sipas Muratit, me rritjen ekonomike që ka qenë këtë vit, është ofruar mundësia që të konsolidohet buxheti për Pakon e Ringjalljes edhe për vitin e ardhshëm, 2022.

I pari i Qeverisë, Albin Kurti, tha se asnjëherë nuk ka pasur një buxhet të tillë.

Kurti po ashtu theksoi se me këtë buxhet do të ndërtojnë 50 çerdhe në tërë vendin si dhe do të ndahen 2 mijë bursa për studentët.

“Kemi shtuar 35 milionë euro tek skemat sociale. Kemi shtuar 24 milionë euro shtesë për barnat esenciale. Me këtë do të nisim rrugën Prizren – Tetovë. Kemi 20 milionë euro për skemën e punësimit të garantuar për rininë. Kemi rritur buxhetin për bujqësinë në 70 milionë euro, për herë të parë. 40 milionë i kemi ndarë për financimin në ndërmarrjet publike. Për herë të parë kemi ndarë mbi 100 milionë euro për Ushtrinë”, potencoi kryeministri gjatë mbledhjes.

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e parë shqyrtoi edhe këto pika nga rendi i ditës:

Shqyrtimi i projektligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022;
Shqyrtimi i kërkesës së Ministrisë së Financave, Punës dhe Trasnfereve për kursime, ndarje dhe harmonizime buxhetore në kategorinë e shpenzimeve paga dhe shtesa;
Shqyrtimi i kërkesës së Ministrisë së Financave, Punës dhe Trasnfereve për kursime dhe ndarje buxhetore në kategorinë e shpenzimeve bazuar në kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës; si dhe çështje Të ndryshme.