Qeveria Hoti politizon Bordin e Autoritetit të Aviacionit Civil

Qeveria në krye me Avdullah Hotin në mbledhjen e sotme, ka miratuar vendimin përmes të cilit i vazhdohet mandati si anëtar i bordit të Autoritetit të Aviacionit Civil, Ardian Gaxherrit, djalit të deputetës së LDK-së Besa Gaxherri.

Deputetja Gaxherri e ka konfirmuar për KALLXO.com se është djali i saj, por thotë që nuk ka pasur informacione që ai ka marrë edhe një mandat nga Qeveria Hoti.

Ajo tha se arsyeja e vazhdimit të mandatit është suksesi i tij dhe jo ndikimi politik.

“Unë tash po marrë vesh, prej juve. Ardiani ka qenë në bord tash e paska marrë një mandat tjetër. Ardiani ka bo shumë punë të mirë aty. S’ka pasë nevojë me diskutu. Më vjen mirë që ata kanë vendosë me ia dhanë edhe një mandat Ardinait. Ai e ka pasë një mandat që është tregu shumë i suksesshëm. Uroj që ata të ia kanë vazhduar edhe një mandat. S’kam pse me diskutu me ministrat dhe kryeministrin. Ai e ka jetën e vet, unë temën. S’mundet me qenë ai as viktimë e imja e as i priveligjumi i jem”, u shpreh Gaxherri.

Anëtare e bordit të Autoritetit të Aviacionit Civil është emëruar edhe Myzejene Selmani nga Aleanca Kosova e Re, dikur zëvëndësministre nga kjo parti.

Përveç tij, sot Qeveria mori vendim për emërimin në këtë bord edhe të Skender Halili, kryesues; Myzejene Selmani, anëtare; Jeton Paloka, anëtar dhe Nazlie Krasniqi –Korçaj, anëtar.