Qeveria gjermane mbështet Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Qeveria gjermane i ka ofruar mbështetje Kosovës për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Kështu ka bërë të ditur përmes një postimi në Twitter, Knut Abraham, deputet i Bundestagut i cili ka publikuar një letër dërguar qeverisë gjermane në pyetjen se a e mbështet anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm.

“Qeveria Federale mbështet anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës. Është e rëndësishme ta bëjmë këtë duke qëndruar në koordinim të ngushtë me partnerët tanë në BE dhe Këshillin e Evropës”, thuhet në letrën e qeverisë gjermane të publikuar nga Abraham.

Abraham e ka vlerësuar si shumë inkurajuese përgjigjen e Gjermanisë për anëtarësimin e Kosovës.

“Përgjigja e qeverisë gjermane në pyetjen time rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës është shumë inkurajuese. Tani Gjermania duhet të mbështesë në mënyrë proaktive aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Politikanët evropianë nga fraksione të ndryshme e mbështesin këtë”, ka shkruar ai në Twitter.

Këshilli i Evropës është një prej organizatave më të rëndësishme në Evropë dhe Kosova është i vetmi vend nga rajoni që nuk është pjesë e tij.

Nga qeveria e Kosovës e cila drejtohet nga Albin Kurti janë shprehur se Kosova këtë vit do të aplikoj në këtë organizatë.

Aplikimin e Kosovës në këtë organizatë e ka kërkuar edhe opozita e vendit.

Këshilli i Evropës u formua pas Luftës së Dytë Botërore për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit në të gjithë kontinentin dhe është e ndarë nga Bashkimi Evropian.