Logo e Universitetit të Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Qeveria e Kosovës ka votuar statutin e ri të UP-së, pritet të votohet edhe në Kuvend

Statuti i ri i Universitetit të Prishtinës i votuar nga Senati i UP-së në fund të muajit korrik, sot është votuar edhe në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

Pas kësaj, ky statut që vjen pas 11 vitesh pritet të votohet edhe nga Kuvendi i Kosovës.

Sipas Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, statuti i ri do të avancojë direkt në përmirësimin e cilësisë në arsimin e lartë.

“E lumtur që kemi ofruar të gjithë mbështetjen e nevojshme që së pari UP, e pastaj universitetet tjera të kenë statut me të cilin vendosen përfundimisht standarde drejt rritjes së cilësisë së studimeve, përmirësimit të produktivitetit shkencor, rritjes së cilësisë së publikimeve shkencore në mënyrë që të përmirësohet gjendja në arsim”, ka shkruar ministrja në profilin e saj në Facebook.

Përveç kësaj, ajo ka përmendur disa nga risitë që do të sjell ky statut.

Statuti i ri do të ruajë, kultivojë dhe promovojë trashëgiminë akademike e shkencore, do të qartësojë kompetencat dhe përgjegjësitë e të gjitha organeve të UP-së.

Do të përcaktojë kritere që promovojnë integritet moral e kredibilitet profesional për të zgjedhurit dhe të emëruarit, do të rrisë pavarësinë financiare për njësitë akademike dhe institutet, si dhe do të garantojë barazi gjinore në të gjitha organet e universitetit.

Edhe në mbledhjen e Qeverisë ministrja Nagavci përderisa e ka prezantuar këtë statut ka thënë se besojnë se do të vendosen standarde për tu rritur cilësia e studimeve, cilësia e publikimeve shkencore.

Ndërsa, në mbledhjen e 45-të të Senatit të Universitetit të Prishtinës, më 31 korrik ishte votuar statuti i ri i Universitetit të Prishtinës, me 20 vota për, 3 abstenime dhe asnjë kundër.

Statuti i ri UP-së: Nuk mund të jesh rektor nëse në 5 vitet e fundit ke ushtruar funksion politik e partiak

Senati ka votuar statutin e ri të Universitetit të Prishtinës, këto janë risitë