Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qeveria do të mbulojë koston për protezat e invalidëve të luftës

Qeveria e Kosovës ka vendosur që të paguajë koston e trajtimit mjekësor të invalidëve të luftës, për qëllim të ndërrimit, mirëmbajtjes apo vendosjes së protezave jashtë institucioneve shëndetësore publike.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se kjo ka qenë kërkesë e kësaj ministrie meqë institucionet publike shëndetësore nuk i ofrojnë këto shërbime.

“Vendimi më i rëndësishëm që është marrë sot është vendimi për aprovimin e kërkesës së Ministrisë së Shëndetësisë për mbulim të trajtimit mjekësor të personave me status të invalidit të luftës për qëllim të ndërrimit, mirëmbajtjes apo vendosjes së protezave jashtë institucioneve shëndetësore publike, kur këto të fundit nuk i ofrojnë këto shërbime” – tha Vitia.

Ai u shpreh i lumtur duke thënë se “më në fund ky proces po institucionalizohet edhe e po kthehet në binar.

Kreu i shëndetësisë në vend, më tej shtoi se në vitin e kaluar ka aprovuar një plan të veprimit për ngritjen e kapaciteteve infrastrukturore e njerëzore në institucionet shëndetësore publike që në të ardhmen ky shërbim të ofrohet aty.

“Është ndarë një shumë nga rreth 2 milionë euro në total për 3 vitet e ardhshme dhe natyrisht ky është hapi i parë që po e bëjmë ndërkohe që puna për funksionalizimin e këtij shërbimi në institucionet shëndetësore publike po vazhdon deri në kompletimin e plotë të lëtyre shërbimeve në mënyrë që kjo kategori e cila ka dhënë jashtëzakonisht shumë për lirinë dhe për këtë vend të ketë mundësi në mënyrë dinjitoze që në të ardhmen t’i marrë këto shërbime brenda institucioneve tona shëndetësore publike” – tha Vitia.

Zëvendësministri i Financave, Agon Dobruna, tha se kërkesat e invalidëve do të trajtohen përmes Fondit për Sigurime Shëndetësore.

“Besojmë se Fondi Shëndetësor është rruga e duhur për arsye se deri më sot nuk kemi pasur një rrugë të tillë. Përmes këtij fondi do të trajtohen të gjitha kërkesat e invalidëve edhe kategorive të dala nga lufta të cilat kanë nevojë për proteza të tilla” – tha Dobruna.

Drejtori i Ortoprotetikës, Lulzim Geci, i kontaktuar nga KALLXO.com tha se ata prodhojnë proteza, mirëpo jo aq të avancuara për invalidët me amputime, për shkak të kostos së madhe dhe mungesës së njerëzve të trajnuar.

“Te na bëhen proteza, por jo proteza të cilat invalidët dhe veteranët e luftës i kanë marrë që sa vite. Ato janë me komponentë krejt specifik për secilin pacient. Ne për aso nuk kemi mundësi buxhetore, janë 20-30 mijë euro për pacient edhe duan njohuri të reja” – tha ai.

Geci tha se invalidët e luftës kanë qenë pacientë të tyre menjëherë pas liftës, por jo edhe më vonë.

“Menjëherë pas luftës kanë ardhë të gjithë invalidët, por më vonë, pas disa viteve nuk kanë ardhë te na kurrë, sepse ata kanë marrë proteza përmes shoqatës së tyre” – tha ai.

Shërbimi i Ortoprotetikës në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (ShSKUK) merret me prodhimin e protezave të gjymtyrëve të poshtme, ortozave të ndryshme, korsetave për rregullimin e deformimeve të shtyllës kurrizore dhe këpucë ortopedike, referuar faqes zyrtare të ShSKUK-së.