Qalaj: Më 2019, të gjitha krimet pësuan rënie

Policia e Kosovës ka organizuar sot një ceremoni përmbyllëse për fundvit ku janë prezantuar të arriturat dhe rezultatet e Policisë së Kosovës për këtë vit.

Në këtë ceremoni, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka prezantuar të arriturat dhe rezultatet të kësaj periudhe kohore të këtij viti, si dhe sfidat me të cilat është ballafaquar Policia e Kosovës.

“Viti 2019 mund të them se ka qenë viti i realizimit të objektivave të Policisë së Kosovës, në parandalimin  e veprave penale, edhe sa i përket objektivave të përcaktuara në fillim”, ka thënë Qalaj.

Këto të arritura drejtori Qalaj ua ka dedikuar zyrtarëve policorë në terren, njësiteve policore, hetuesve policorë, e të gjithë atyre përfshirë stafin civil dhe atë menaxhues, që me punën e tyre  kanë arritur me sukses t’i realizojnë objektivat strategjike të policisë.

Në bazë të disa statistikave të përmendura nga Qalaj, këtë vit rastet në Policinë e Kosovës kanë shënuar ulje nga 40 mijë e 447 raste në 36 mijë e 536 raste.

Sipas Qalajt veprat penale kanë shënuar ulje nga 29 mijë në 24 mijë e 631.

“Vrasje po ashtu kanë shënuar ulje nga 32 në 19, lëndimet e rënda trupore kanë shënuar ulje nga 274 në 245, lëndimet e lehta trupore kanë shënuar ulje nga 2 mijë e 908 në 2 mijë e 595, vjedhjet kanë shënuar ulje nga 5 mijë e 402 në 4 mijë e 131, vjedhjet e rënda kanë shënuar ulje nga 4 mijë e 353 në 3 mijë e 421”, ka thënë Qalaj.

Ai ka treguar se edhe rastet e grabitjeve kanë shënuar ulje nga 261 në 147, si dhe vdekjet e personave në aksidente kanë shënuar ulje nga 110 në 103.

Në këtë ceremoni mori pjesë edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, i cili shprehu falënderim për Policinë e Kosovës.

“Është me rëndësi që Kosova ka qenë  e kujdesshme dhe e ka kthyer në fokus gjendjen e policisë në aspektin material, rrezikshmërinë, dhe orët shtesë që janë të rëndësishme për integritetin profesional”, ka thënë Haradinaj.

Në këtë ceremoni në fjalimin e tij, Haradinaj  ka ndarë medaljen e “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” për drejtorin  e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

Në këtë ceremoni mori pjesë edhe ministri në detyrë i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, i cili ka falënderuar Policinë e Kosovës për punën dhe kontributin e dhënë si institucion.

Në këtë ceremoni drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, në shenjë mirënjohjeje dhe përkrahjeje i ndau një pllakatë kryeministrit në detyrë, si dhe ndau dy  medalje “Mburojë e Policisë”, dy medalje për “Shërbim të dalluar”, 11 medalje policore për “Lëvdim”, 19 “Lëvdata”, dhe 13 mirënjohje.

Ndërsa ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ndau dy medalje policore për trimëri, ku njëra ndër to i është dhënë familjarëve të zyrtarit policor të rënë në detyrë, Izet Demaj.