Putin pranon evakuimin e Azovstal ndërkohë që i ndalon furnizimin me gaz Polonisë dhe Bullgarisë

Presidenti Vladimir Putin ka rënë dakord “në parim” që OKB-ja dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) të përfshihen në evakuimin e civilëve nga fabrika Azovstal në Mariupol, thanë Kombet e Bashkuara në një deklaratë të martën.

“Diskutimet vijuese do të zhvillohen me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare dhe Ministrinë e Mbrojtjes Ruse”, tha zëdhënësi i OKB-së Stephane Dujarric në një deklaratë pasi Putin u takua me sekretarin e përgjithshëm të saj Antonio Guterres sot në Moskë.

Në të njëjtin takim, Putin pretendoi se i ka urdhëruar forcat e tij të mos e sulmonin fabrikën e madhe, e cila thuhet se ka vepruar si një strehë për civilët ukrainas.

Rusia do ta ndalojë furnizimin me gaz për Poloninë dhe Bullgarinë nga sot, ditë e mërkurë. Varshava ka refuzuar ta paguajë furnizuesin e saj, Gazprom, në rubla dhe më herët njoftoi se do të vendosë sanksione ndaj 50 subjekteve dhe individëve, përfshirë kompaninë më të madhe ruse të gazit. Bullgaria, e cila është pothuajse tërësisht e varur nga importet e gazit rus, tha se kishte përmbushur të gjitha detyrimet e saj kontraktuale me Gazprom dhe se skema e re e propozuar e pagesës ishte në kundërshtim me marrëveshjen. Andriy Yermak, shefi i shtabit të presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, tha se Rusia “po fillon shantazhin e gazit të Evropës”.

Ministria ruse e mbrojtjes paralajmëroi për një “përgjigje proporcionale” të menjëhershme nëse Britania e vazhdon “provokimin e drejtpërdrejtë” të regjimit të Kievit, pasi ministri i forcave të armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, James Heappey, i përshkroi sulmet ukrainase në tokën ruse që godasin furnizimet dhe prishin logjistikën si “plotësisht legjitime.“

Volodymyr Zelenskiy tha se beson se Rusia po përpiqet ta destabilizojë situatën në rajonin Transnistrian të Moldavisë pas një sërë shpërthimesh atje, duke shtuar se forcat e armatosura ukrainase ishin gati për një përshkallëzim të mundshëm nga trupat ruse në territorin e pushtuar përkohësisht. “Qëllimi është i qartë – të destabilizohet situata në rajon, të kërcënohet Moldavia. Ato tregojnë se nëse Moldavia e mbështet Ukrainën, do të ketë hapa të caktuar”, tha Zelenskiy në fjalimin e tij të fundit kombëtar. Rusia ka refuzuar ta përjashtojë mundësinë e përfshirjes së rajonit separatist të Moldavisë Transnistria në luftën në Ukrainë.

Zelenskiy tha se “bota e lirë e ka të drejtën e vetëmbrojtjes” pasi parashikoi se Rusia synon jo vetëm ta pushtojë territorin e Ukrainës, por ta “coptojë të gjithë qendrën dhe lindjen e Evropës” dhe “t’i japë një goditje globale demokracisë”.

Sekretarja e Jashtme e Britanisë, Liz Truss, pritet t’u bëjë thirrje aleatëve të Ukrainës që ta “rrisin” dhe “ta dyfishojnë” prodhimin ushtarak, përfshirë avionët dhe tanket, në një fjalim që do të mbahet të mërkurën. Truss tha se qasja e re e Mbretërisë së Bashkuar “do të bazohet në tri fusha: forca ushtarake, siguria ekonomike dhe aleancat më të thella globale”. Fitorja e Rusisë do të ketë “pasoja të tmerrshme në mbarë globin”, pritet të thotë Truss. “Ne duhet të jemi të përgatitur për një afat të gjatë dhe ta dyfishojmë mbështetjen tonë për Ukrainën.

Gjermania do të autorizojë dërgimin e 50 sistemeve kundërajrore në Ukrainë, tha ministrja gjermane e mbrojtjes, Christine Lambrecht. Lambrecht tha se qeveria ka rënë dakord të nënshkruajë dorëzimin e rreth 50 sistemeve të armëve anti-ajrore Gepard. Zvicra tha se kishte bllokuar Gjermaninë nga dërgimi i municioneve të prodhimit zviceran të përdorur në sistemet kundërajrore Gepard në Ukrainë.

Shtetet e Bashkuara u zotuan ta lëvizin “qiellin dhe tokën” për ta ndihmuar Ukrainën që ta fitojë betejën e saj kundër pushtimit rus, ndërkohë që ishte nikoqir i bisedimeve të mbrojtjes në Gjermani me aleatët nga 40 vende të martën. Mbledhja po udhëhiqet nga sekretari amerikan i mbrojtjes, Lloyd Austin, pas takimit të tij me Zelenskiy të dielën. Austin tha se perëndimi po përgatitej për ta ndihmuar Ukrainën për “periudhë afatgjate” dhe do të marrë hapa për të rritur riarmatimin e saj.

Australia do të dërgojë gjashtë obusë M777 dhe municione në Ukrainë si pjesë e një pakete prej 26.7 milionë dollarësh Australianë në përgjigje të “pushtimit brutal, të paepur dhe të paligjshëm të Rusisë”, u tha të mërkurën në një deklaratë nga kryeministri Scott Morrison dhe ministri i mbrojtjes Peter Dutton. Kanadaja synon të dërgojë tetë automjete të blinduara “sa më shpejt të jetë e mundur”, njoftoi ministrja e Mbrojtjes Anita Anand.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, udhëtoi për në Moskë dhe, në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, Guterres tha se OKB-ja ishte “gati të mobilizojë plotësisht burimet e saj njerëzore dhe logjistike për të ndihmuar në shpëtimin e jetëve në Mariupol”. Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereschuk, tha se nuk kishte “kuptim” në OKB nëse nuk kishte korridor të vërtetë humanitar nga Mariupol. Guterres u takua gjithashtu me presidentin rus Vladimir Putin, i cili e përshkroi situatën në qytetin e rrethuar të Mariupolit si “tragjike” dhe “të komplikuar”. Moska dhe Kievi po vazhdojnë bisedimet online, tha Putin.

Rusia e ka hedhur poshtë propozimin e Ukrainës për të zhvilluar bisedime paqeje në Mariupol. Lavrov tha se ishte shumë herët për të folur se kush do të ndërmjetësonte në negociatat, por ai tha se Moska është e angazhuar për një zgjidhje diplomatike përmes bisedimeve për Ukrainën.

Kreu i mbikëqyrësit atomik të OKB-së ka dënuar pushtimin rus të centralit bërthamor të Çernobilit, duke e përshkruar atë si “shumë, shumë të rrezikshëm”. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, po udhëheqë një mision ekspertësh atje për të “dërguar pajisjet, kryerjen e vlerësimeve radiologjike dhe rivendosjen e sistemeve të monitorimit të masave mbrojtëse”.

Zelenskiy ka deklaruar se “askush në botë nuk mund të ndihet i sigurt” pasi Rusia kërcënoi objektet bërthamore të Ukrainës dhe bëri thirrje për “kontroll global” mbi objektet bërthamore dhe teknologjinë bërthamore të Rusisë pas takimit me drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael. Mariano Grossi. “Asnjë vend tjetër në botë që nga viti 1986 nuk ka paraqitur një kërcënim kaq të madh për sigurinë bërthamore, për Evropën dhe botën,” tha ai.

Kryeministri britanik Boris Johnson tha se nuk pret që Putini të përdorë armë bërthamore në Ukrainë. Johnson tha se Putin “ka shumë hapësirë për manovrim” dhe mund të tërhiqet./The Guardian, The Independent

Përgatiti: Nuhi Shala