Presidenti amerikan, Joe Biden dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin.

Putin dhe Biden fillojnë bisedën telefonike për krizën në Ukrainë

Me rrezikun e fillimit të një lufte më të madhe, presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti i ShBA-së Joe Biden kanë filluar një bisedë telefonike këtë të shtunë, ndërsa një botë e tensionuar shikonte dhe shqetësohej se një pushtim i Ukrainës mund të fillonte brenda disa ditësh, raporton New York Times.

Para se të fliste me Biden, Putin pati një telefonatë me presidentin francez Emmanuel Macron, i cili u takua me të në Moskë në fillim të javës për t’u përpjekur të zgjidhte krizën më të madhe të sigurisë midis Rusisë dhe Perëndimit që nga Lufta e Ftohtë.

Një shenjë se zyrtarët amerikanë po përgatiteshin për një skenar të rastit më të keq, ishe njoftimi i planit për të evakuuar ambasadën e tyre në kryeqytetin ukrainas ndërsa Britania iu bashkua vendeve të tjera evropiane duke u kërkuar qytetarëve të saj të largoheshin nga Ukraina.

Rusia ka grumbulluar mbi 100,000 trupa pranë kufirit me Ukrainën dhe ka dërguar trupa në stërvitje në Bjellorusinë fqinje, por mohon se ka ndërmend të nisë një ofensivë kundër Ukrainës.

Biden ka thënë se ushtria amerikane nuk do të hyjë në një luftë në Ukrainë, por ai ka premtuar sanksione të rënda ekonomike kundër Moskës, në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë.

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u përpoq të krijonte qetësi teksa vëzhgonte stërvitjet ushtarake të shtunën pranë Krimesë, gadishullit që Rusia aneksoi nga Ukraina në vitin 2014.

“Ne nuk kemi frikë, jemi pa panik, gjithçka është nën kontroll”, tha ai.