Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pse PDK-ja nuk e përkrahu për herë të dytë Bekim Jasharin?

Kryetari i ri i Skenderajt, Fadil Nura, ka thënë se arsyeja kryesore që Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk e ka përkrahur për herë të dytë Bekim Jasharin për të parin e Skenderajt, është sepse Jashari më nuk ka qenë kandidat i pavarur.

Në intervistën në “Kallxo Përnime” Nura ka thënë se në zgjedhjet lokale 2021, Bekim Jashari ka përfaqësuar një grupim politik dhe nuk e ka pranuar logon e PDK-së.

“Para 4 viteve Bekimi ka kandidu si person, ndërsa tash si subjekt politik, apo mundem me thonë si parti lokale. E dyta, ai nuk ka pranu me garu nën logon e PDK-së dhe PDK nuk ka pasur alternativë tjetër”, tha Nura në intervistë.

Sipas tij, ka pasur edhe rrethana të tjera që ka ndikuar që PDK të mos e përkrahte Jasharin.

“Është dallim shumë, janë rrethanat politike si marrëveshja me LVV dhe subjektet e tjera. Si dhe jogatishmëria për me qenë pjesë e PDK-së dhe një parti kaq e madhe, me elektorat kaq shumë, ka qenë një vlerësim i dëmshëm, që mos me pasë kandidat”, tha Nura.

Nura tha se në zgjedhjet lokale të vitit 2017, i gjithë elektorati i PDK-së në Skenderaj e ka përkrahur Bekim Jasharin.