Shpjegimi i komandantit të Policisë në Skenderaj pse nuk u kërkua urdhri mbrojtës për gruan që u vra në Llaushë

Një shpjegim tjetër vjen pas skandalit të trajtimit të incidentit tragjik që ndodhi në fshatin Llaushë të Skenderajt, ku Lirije Qerimaj u vra ndërsa dorasi dyshohet se është burri i saj, Skënder Qerimaj.

Komandanti i stacionit policor në Skenderaj, Muhamet Kajtazi, i kontaktuar nga KALLXO.com dha shpjegimin e tij se pse Policia nuk ka kërkuar masën mbrojtëse për Lirije Qerimajn, e cila u vra gjatë ditës së djeshme.

Kajtazi thotë se nuk kanë pasur ndonjë indikacion se rasti do të përfundojë në këtë mënyrë pasi gruaja ishte kthyer te burri i saj pas raportimit për dhunë në familje.

“Policia kur është diçka emergjente edhe në festa edhe pushime i kryen punët menjëherë. Në këtë rast qysh është raportuar me datën 1, qysh janë biseduar gjërat me datën 1, nuk ka dhënë indikacione që ka pasur diçka emergjente. Të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë vetëm se nuk është interpretuar nga askush që është diçka emergjente, as viktima nuk e ka dhënë bindjen që është diçka emergjente”, tha Kajtazi për KALLXO.com.

Ai nuk pranoi që të japë informacione për zyrtarët policorë që kishin trajtuar rastin e raportimit të Lirije Qerimajt në Polici më 1 janar.

Lirije Qerimaj më 1 janar kishte raportuar në Polici dhunën psikike nga bashkëshorti i saj ndërsa për disa orë ishin marrë në pyetje nga zyrtarë policorë për rastin e tyre dhe kishte kërkuar lëshimin e një urdhri për mbrojtje mirëpo kërkesa për mbrojtjen e saj u mor pasi vdiq.

Arsyeja se pse nuk e kishte raportuar burrin për dhunë fizike ishin dyshimet se i njëjti kishte probleme psikike.

“Sipas kërkesës së saj, urdhri mbrojtës ka mbetur me u marrë nga autoriteti i Qendrës për Punë Sociale dhe ashtu ma ka interpretu mua policja situatën, kaq di. Pasi ka qenë rasti i parë i raportuar për dhunë në familje, kanë qëndruar në njëfarë mënyre sikur mu pajtu, kanë dhënë indikacione që nuk e përsërisin ashtu qysh e kuptova nga policët, ka ndodhur një herë po nuk ndodh më sepse viktima vetë në deklaratë ka thënë se më ka rreh në qershor një herë po nuk e kam raportu se diqysh si me kanë i smutë burri”, tha tutje Kajtazi për KALLXO.com.

Ai shtoi edhe se Policia bën kërkesën për urdhër mbrojtjeje e tjetërkush i aprovon.

KALLXO.com raportoi skandalin se si kërkesa për mbrojtjen e Lirije Qerimajt ishte bërë gjatë ditës së djeshme. Nuk është raportuar për orën e saktë se kur është bërë kërkesa, ndërsa Hatixhe Latifi nga Zyra për mbrojtjen e viktimave – Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit në Mitrovicë, ka thënë se nga mediat kanë kuptuar se Lirije Qerimaj është vrarë.

Sipas Latifit, nuk ishte bërë kërkesë për mbrojtjen e viktimës. Edhe ajo përmendi faktin se rasti nuk është paraqitur emergjent.

“Unë ju thash që ka qenë mirë pasi është vikend, por drejt me t’ thanë se në shikim të parë s’ju ka dok rast shumë i randë, se veç dhunë psikike, as s’ka pas lëndime, as s’ka kërku trajtim mjekësor. U kthy në shpi, se kaniher i kena do raste shumë të rënda”, theksoi ajo.

Gjatë ditës së sotme KALLXO.com raportoi edhe se rreth orës 13 e 47 policia kishte pranuar informacionin për një rast të dhunës në familje. Patrulla policore që i është përgjigjur rastit e ka gjetur Lirije Qerimajn të shtrirë dhe me një plagë nga arma e zjarrit ndërsa rreth orës 14:00, burri i Lirijes, i cili dyshohet të jetë dorasi është dorëzuar në polici dhe ka thënë “e kam vrarë gruan” dhe kishte dorëzuar edhe pistoletën me tre fishekë që dyshohet se është përdorur në rast.

Thellohet skandali i vrasjes në Llaushë, mbrojtësi i viktimave kërkoi pas vrasjes masën mbrojtëse