Protestat në Iran - pesë të dënuar me vdekje për vrasjen e një anëtari paraushtarak

Autoritetet iraniane i kanë dënuar me vdekje pesë persona për vrasjen e dyshuar të një anëtari të një force paraushtarake të lidhur me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit, njoftuan mediat shtetërore. 11 të tjerë u dënuan me burg.

13 burrat dhe tre të miturit – asnjëri prej të cilëve nuk është identifikuar – u akuzuan për vrasjen e Ruhollah Ajamian, një anëtar i Basij, një degë paraushtarake vullnetare e Gardës Revolucionare të Iranit, sipas raportit nga IRNA, agjencia shtetërore e lajmeve iraniane.

Vrasja e supozuar ndodhi në Karaj, afër Teheranit, më 12 nëntor, kur një grup burrash ndoqën dhe sulmuan Ajamian me thika dhe gurë, thuhet në raport. Raporti i IRNA-së i referohet “rebelëve”, një term që përdoret zakonisht nga qeveria për t’iu referuar protestuesve. Në atë kohë në atë zonë po zhvilloheshin demonstrata antiqeveritare.

Dënimet vijnë mes muajsh demonstratash antiqeveritare që janë shtypur dhunshëm nga forcat e sigurisë të Iranit. Protestat, që tani po hyjnë në muajin e tyre të tretë, u nxitën nga vdekja në paraburgim nga policia e 22-vjeçares Mahsa Amini, e cila u arrestua për dyshime se kishte shkelur kodin e rreptë të veshjes së Republikës Islamike. Që atëherë, demonstratat janë përshkallëzuar për të bërë thirrje për rrëzimin e sundimtarëve klerikë të Iranit, duke paraqitur një nga sfidat më serioze për teokracinë e Iranit që nga revolucioni i vitit 1979.

Pesë të dënuarit me vdekje të hënën u akuzuan nga gjykata revolucionare e Iranit. Tre djem u akuzuan nga gjykata penale e Iranit, sipas raportit. Zëdhënësi i gjyqësorit, Masoud Setayeshi, i cituar në raport, nuk dha asnjë provë për të mbështetur asnjërën nga akuzat.

IRNA tha se dënimet e tyre – më i gjati prej 25 vitesh – mund të apelohen.

Gjykata revolucionare e Iranit jep rregullisht dënime me vdekje. Gjykata u krijua pas Revolucionit Islamik të vitit 1979. Sipas Amnesty International, Irani ekzekutoi të paktën 314 persona në vitin 2021, më shumë se gjysma e totalit të ekzekutimeve shtetërore të regjistruara në Lindjen e Mesme atë vit.

Javën e kaluar, autoritetet iraniane ekzekutuan katër persona të akuzuar se punonin për agjencinë e inteligjencës izraelite Mossad. Autoritet nuk dhanë asnjë dëshmi për publikun për asnjë nga krimet e supozuara të katër burrave.

Gjithashtu të martën, agjencia shtetërore e lajmeve gjysmë-zyrtare e vendit, Tasnim, tha se autoritetet kanë arrestuar 12 persona me akuza se ishin të lidhur me agjentë të huaj “anti-revolucionarë” në Gjermani dhe Holandë./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala