Irani kërcënon me sulme ‘brenda Amerikës’

CNN raporton se Garda Revolucionare e Iranit, e cila ka marrë përsipër sulmin e sontëm ndaj dy bazave ushtarake amerikane në Irak, ka kërcënuar me sulme brenda Amerikës.

Në kanalin e vet Telegram, kjo Gardë tha se “Pentagoni raporton se SHBA-të do të përgjigjen ndaj sulmevetë Iranit”.

“Kësaj radhe ne do të përgjigjemi ndaj jush në Amerikë”, citohet të ketë thënë Garda Revolucionare.

Përderisa Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, po konsultohet me këshilltarët e tij kryesorë në Shtëpinë e Bardhë, zyrtarët po bëjnë përgatitjet urgjente për të që t’i adresohet kombit pas sulmeve me raketa nga Irani ndaj dy bazave ushtarak amerikane në Irak, raporton CNN.

Koha e saktë e këtij adresimi nuk është caktuar ende dhe mund të vonohet për shkaktë mbledhjes së informacioneve, por dy zyrtarë i kanë thënë CNN-it se fjalimi është duke u përgatitur dhe po bëhen plane që Trump të flasë sonte nga Zyra Ovalë në Shtëpinë e Bardhë.

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes konfirmoi më herët se Irani ka lëshuar raketa ndaj forcave amerikane dhe aleate në Irak.

Pentagoni tha se janë lëshuar disa raketa gjatë këtij sulmi.

“Është e qartë se këto raketa janë lëshuar nga Irani dhe kanë shënjestruar së paku dy baza ushtarake në të cilat strehohen ushtarët amerikanë dhe personeli i koalicionit, në Al Assad dhe Irbil”, tha Jonathan Hoffman, asistente e Sekretarit të Mbrojtjes për çështje publike, në një deklaratë.

“Jemi duke punuar në vlerësimin fillestar të dëmeve”, shtoi ai.

Hoffman tha se këto baza kanë qenë në “alarm të lartë” për shkak të indikacioneve për planifikim të sulmeve nga regjimi i Iranit ndaj forcave amerikane.

“përderisa po vlersojmë situatën dhe përgjigjen tonë, do t’i ndërmarrim të gjitha masat për të mbrojtur personelin amerikan, partnerët dhe aleatët në rajon”, tha Pentagoni.

Rreth 10 raketa iraniane kanë goditur bazën ushtarake ‘Al Asad’ në Irak në të cilën strehohen ushtarët amerikanë, raporton CNN.

Ky sulm i Iranit mbi bazën ushtarake amerikane vjen pak ditë pasi forcat amerikane vranë gjeneralin e ushtrisë iraniane, Qassem Suleimani.

Televizioni shtetëror iranian e përshkroi këtë sulm si “hakmarrje e Teheranit” për vrasjen e gjeneralit Qassem Suleimani.

Sipas këtij televizioni, operacioni ka qenë i koduar me emrin “Dëshmori Suleimani”.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha: “Pressidenti është njoftuar dhe po e monitoron situatën nga afër dhe po konsultohet me ekipin e sigurisë nacionale”.

Reporteri i Sky News në Teheran, Mark Stone, tha: “Nuk kishte dyshim se përgjigja e Iranit do të vinte. Tani po presim përgjigne e SHBA-ve”.