Gjykata Themelore e Pejes - Foto: Atdhe Mulla.

Prokurorja paralajmëron ankesë për rastin e plagosjes së nipit të Ramush Haradinaj

Gjykata e Pejës dje e ka shpallur fajtor Fisnik Lajqin për plagosjen e Mustafë Ahmetxhekaj.

Lajqi për tentim vrasje u gjykua me 15 muaj burgim, shkaktim të rrezikut të përgjithshëm 10 muaj burgim dhe 800 euro gjobë për armëmbajtje pa leje.

Ndaj Lajqit u shqiptua dënim unik me 1 vit e 8 muaj burgim dhe 800 euro gjobë. Gjykata po ashtu ka konfiskuar armën e të akuzuarit.

Ndërsa i akuzuari Demokrat Lajqi u dënua me 200 euro gjobë për veprën penale të sulmit, të cilën do ta paguajë brenda afatit prej 30 ditësh.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari e kishte sharë Ramush Haradinajn dhe po të njëjtën ditë me revole nga afërsia dhe nga prapa ka shtënë tri herë në drejtim të dëmtuarit, përkatësisht nipit të Haradinajt, Mustafë Ahmetxhekaj, ku me dy plumba i ka shkaktuar lëndime trupore.

Prokurorja e rastit Valbona Disha- Haxhosaj sot për KALLXO.com tha se për këtë dënim do të parashtrojë ankesë pranë Gjykatës së Apelit.

Sipas prokurores dënimi i shqiptuar dje në gjykatë është shumë i ulët andaj do të ankimohet.

Sipas aktakuzës,  Fisnik Lajqi më 10 tetor 2020 në Pejë me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Mustafë Ahmetxhekaj.

Fisnik Lajqi akuzohet edhe për veprën penale të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje.

Ndërsa Demokrat Lajqi akuzohet se në ditën kritike ka përdorë forcën ndaj të dëmtuarit Mustafë, pasi që i pandehuri e sheh të dëmtuarin afër dëshmitarit Nazmi të cilin e ka djalë të axhës, i afrohet të njëjtit dhe nga pas e godet në kokë me grusht dhe largohet nga vendi i ngjarjes.

Dënohet i akuzuari për plagosjen e nipit të Ramush Haradinaj