Arkiv - Blerim Isufaj duke iu drejtuar gazetarëve | Foto: KALLXO.com

Prokuroria Speciale po heton me prioritet vrasjen e një gazetari serb

Teksa u prezantua puna që Prokuroria Speciale bëri në drejtim të hetimeve të krimeve të luftës, u fol edhe për prioritetet që ka kjo prokurori në hetimin e rasteve.

Një nga këto prioritete, sipas prokurorit Blerim Isufaj është edhe hetimi i rastit të vrasjes së një gazetari serb.

“Drejtësinë do ta bëjmë të barabartë për te gjithë, pa asnjë dallim. I kemi prioritetet tona, siç janë Meja e Dubravë, por edhe rastin e vrasjes së një gazetari serb” – tha Isufaj.

Ai tutje shtoi se rastet kur i kanë pranuar në Prokurori në 2018, i kanë pranuar të paindeksuara.

“Ne kemi bërë një punë të madhe por kjo nuk do të thotë që puna është kryer. Ne sot e kemi një pasqyrë të qartë të krimeve të luftës sipas regjistrit” – tha ai.

Prokuroria Speciale përmes një konference për media ka dhënë informata në lidhje me hetimet për krimet e luftës në Kosovë.

Prokurorja Drita Hajdari tha para gazetarëve se janë 33 aktakuza kundër 89 personave, në lidhje me krimet e luftës.

Ajo ka thënë se kjo Prokurori ka marrë kompetencat për hetimin e krimeve të luftës në fillim të vitit 2016, kurse ka pranuar rastet fizikisht me 2018.

“Në mesin e këtyre rasteve ka qenë edhe ai për masakrën e Mejës dhe shumë raste të tjera. Ju njoftoj se deri më tani janë ngritur gjithsej 33 aktakuza me 89 persona të akuzuar. Kryerësit e këtyre veprave penale nuk kanë qenë në Kosovë, kanë qenë në Serbi. Kjo ka paraqitur vështirësi në ngritjen e aktakuzave, mirëpo kjo rrethanë nuk na ka ndalë” – tha prokurorja Hajdari.

Ndërsa prokurori Ilir Morina tha se në lidhje me Masakrën e Dubravës, deri më tani janë 88 të pandehur, për të cilën masakër dje ka filluar shqyrtimi gjyqësor.

“Janë 88 të pandehur, ky hetim po vazhdon qe një kohë të gjatë. Vetëm një të pandehur e kemi në paraburgim. Për të pandehurit e tjerë vazhdojnë hetimet, masakra nuk përfundon me këtë aktakuzë, jemi duke vazhduar me hetime” – ka thënë Morina.

KALLXO.com vrasjen e gazetarëve e kishte trajtuar në një emision në vitin 2022, ku ishte folur për krimet ndaj gazetarëve ndërmjet viteve 1998 dhe 2005 në Kosovë nuk janë zbardhur ende.

Prokuroria Speciale: Kemi ngritur 33 aktakuza kundër 89 persona për krime të luftës në Kosovë