Rrëfimi i papërfunduar...

Krimet ndaj gazetarëve ndërmjet viteve 1998 dhe 2005 në Kosovë nuk janë zbardhur ende.

Në Kosovë konsiderohen 16 gazetarë të vrarë dhe të zhdukur por vetëm në një rast ka marrë aktgjykim përfundimtar.

Janë 15 dosje të vrasjeve dhe kidnapimeve të gazetarëve dhe punonjësve të mediave të cilat presin të zbardhen nga drejtësia.

Në një dokumentar kushtuar vrasjes dhe zhdukjes së gazetarëve në vend, më 2 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare për Mosndëshkimin e Krimeve ndaj Gazetarëve, zbardhen rrëfimet e familjarëve dhe miqve të gazetarëve të cilët u vranë e u zhdukën.

Ajo çka ndodhi me këto raste është ngulitur thellë në kujtimet e familjarëve dhe miqve të atyre që sot mungojnë.

Dijar Popova është djali i gazetarit Shefki Popova. Ai kujton momentet kur e kuptoi se babai i tij u qëllua për vdekje.

“Unë kam qenë në atë kohë 18-vjeçar, mirëpo kam qenë shumë i afërt me babin tim, me punën e tij. Ai ka qenë një familjar shembull, ka qenë një prind i jashtëzakonshëm dhe shumë i lidhur me familjen e tij” – kujton Popova.

“Ajo natë ka ndryshuar gjithçka në rrjedhën e familjes tonë, natyrisht ajo është pjesa më e keqe e cila ka mbetur në memorien dhe do të jetë gjithmonë në secilin anëtar të familjes tonë, te nëna ime dhe dy motrat e mia. Babi im ka punuar shumë për lirinë e Kosovës, ka pasur një trimëri në aspektin gazetaresk edhe nga natyra ka qenë një atdhetar shumë i madh, jo vetëm ai po gjithë familja jonë shquhet për atdhetarizëm dhe patriotizëm në komunën e Vushtrrisë” – deklaron ai.

Në vitin 2001 në Skenderaj ishte vrarë edhe gazetari tjetër, Bekim Kastrati. Babai i tij kujton momentin kur e telefonuan për t’ia dhënë lajmin për vrasjen e të birit.

“Unë jam dalë me vëllaun, u ardh ndihma e shpejtë teposhtë, iu thash, që tash e çuan dikë. Atë Besimin e kishin pas çu, se ai në operacion ka vdekë. Jena shku në Skenderaj, aty në kryq e kishin pasë blloku KFOR-i, kemi folë e na kanë lëshu, jemi shku drejt në stacion të Policisë. Më thanë nuk dimë kurrgjë…” – thotë Hajriz Kastrati.

Një vit më herët kishte ndodhur një vrasje tjetër, në qendër të Prishtinës. Në vitin 2000 u vra gazetari Xhemajl Mustafa.

“E di që e kam pyet aty një person, një njeri të panjohur, i thash: çfarë ka ndodhë? Se nuk guxoja me hy, me ia pranu vetvetes atë gjë edhe më kujtohet kur më thotë: E kanë plagos Xhemajl Mustafën” – kujton e bija e Xhemajl Mustafës, Beriana.

“Masnej, e kam pasë një reagim kështu thyerje nervore, një reagim, jam përplasë përtoke, kam fillu me qajtë. Si nëpër mjegull është ajo, njëfarë odiseade në vete. Në një moment të caktuar Policia e UNMIK-ut e kanë marrë mamin e kanë dërguar në spital” – thotë ajo.

“Kur erdhi mami, në mbrëmje, kah ora 8:00-9:00 në mbrëmje, saktësisht nuk po më kujtohet, veç tha që babi më nuk është me neve…” – kujton Berianë Mustafa.

Ivana Petroviq, mike e Aleksandar  Simoviqit, gazetarit të vrarë në Prishtinë, thotë se kur e kuptoi se ishte vrarë Simoviq nuk e kishte besuar lajmin.

“E di që mendimi i parë që më shkoi në mendje, pasi qava shumë, mendimi i parë që pata ishte “për Zotin, pse atë, nuk do ta shkelte as një bubrrec”. Menjëherë u kthjella, e dija që ai ishte tërësisht i pavetëdijshëm që vera, pra pas luftës atje poshtë, në Prishtinë, nuk ka pasur siguri për të. Pra Prishtina, vendi i lindjes së tij, në të cilin askujt nuk i kishte bërë keq, sepse thashë që as bubrrecin nuk do ta shkelte, thjesht nuk ka qenë i vetëdijshëm që nuk do të kishte më siguri për të në qytet” – thotë ajo.

Familjet kërkojnë drejtësi e kolegët informacione për fatin e njerëzve që punuan me ta.

Lista e gazetarëve të vrarë dhe zhdukur në Kosovë përgjatë viteve 1998-2005:

  1. Zhdukja e parë shënohet në korrikun e vitit 1998. Ismajl Bërbatovci u pa për herë të fundit në qytetin e tij të lindjes, në Lipjan, më 23 korrik 1998. Bërbatovci ishte korrespodent i gazetës Rilindja dhe kryeredaktor i revistës mujore “Fjala jonë”.
  2. Ndërsa, vrasja e parë shënohet në korrikun e vitit 1998. Shaban Hoti, profesor i gjuhës ruse, punonte si përkthyes për gazetarë rusë që punonin në Kosovë. Ai u vra në Malet e Berishës dhe vrasja e tij është dosja e vetme e zbardhur nga Gjykata e Hagës. Një person është dënuar me 13 vite burgim për këtë ngjarje.
  3. Ranko Pereniq dhe Duro Slavuj, punonjës në Radio Prishtinë. Ishin parë herën e fundit së bashku në afërsi të Rahovecit Ata janë raportuar të zhdukur që nga gushti i vitit 1998. Dosja për ta ende është e hapur…
  4. Viktima e radhës nga radhët e gazetarëve ishte Afrim Maliqi, gazetar në gazetën “Bujku”. Ai u vra më 2 dhjetor 1998 në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë. Vrasja e tij nuk është zbardhur ende.
  5. Në janarin e vitit 1999 gazetari Enver Maloku qëllohet për vdekje në hyrje të banesës së tij në Bregun e Diellit, në Prishtinë. Maloku punonte në Qendrën për Informim të Kosovës (QIK). Vrasja e tij nuk është zbardhur ende.
  6. Në muajin mars të vitit 1999 u regjistrua vrasja tjetër e gazetarëve. Haki Brahu u gjet i vdekur më 26 mars 1999 në varrezat e Ferizajt. Braha ishte gazetar i Radiotelevizionit të Prishtinës dhe punonte edhe në QIK.
  7. Ljubomir Kneževiq, punonte për gazetën “Jedinstvo” dhe ishte korrespondent i gazetës “Politika”, ai është zhdukur në rrethana misterioze më 6 maj 1999.
  8. Milo Buljeviq, punonjës i RTV Prishtina është kidnapuar më 25 qershor 1999 në Prishtinë.
  9. Viktima e radhës e krimeve ndaj gazetarëve ishte Aleksandar Simoviq. Ai ishte  gazetar dhe përkthyes për media internacionale kur u qëllua për vdekje në rrethana të pazbardhura më 21 gusht 1999 në Prishtinë.
  10. E pasqaruar deri më tani është edhe vrasja e fotoreporterit të gazetës “Politika”, Momir Stokuça. Ai u vra në banesën e tij në Prishtinë më 21 shtator 1999.
  11. Misteret e vrasjeve dhe zhdukjeve të gazetarëve vazhdojnë edhe në vitin 2000. Gazetari Marjan Melonashi punonte në Radio Televizionin e Prishtinës, ai është zhdukur që nga 9 shtatori i vitit 2000.
  12. Një vrasje tjetër ishte ajo e gazetarit, Krist Gegaj, redaktor në Televizionin e Prishtinës, në shtatorin e vitit 1999. Trupi tij u gjet në lumin e qytezës së Istogut, jo shumë larg shtëpisë ku ai jetonte.
  13. Shefki Popova është gazetari tjetër i vrarë në rrethana misterioze në shtatorin e vitit 2000. Korrespondenti i gazetës “Rilindja” u qëllua në hyrje të banesës së tij në Vushtrri.
  14. Viktima e radhës e krimeve ndaj gazetarëve ishte vrasja e Xhemajl Mustafës. Gazetari u vra në hyrjen e banesës së tij në Prishtinë në nëntor të vitit 2000. Edhe vrasja e tij ende nuk është zbardhur.
  15. Krimet ndaj gazetarëve do vazhdonin edhe në vitet pasuese. Të dhënat tregojnë që gazetari i “Botës Sot”, Bekim Kastrati, u vra në rrethana misterioze në afërsi të Skenderajt në tetor të vitit 2001.
  16. Qershori i vitit 2005 do shënonte vrasjen tjetër të mistershme. Gazetari i “Bota Sot” Bardhyl Ajeti vritet në afërsi të Gjilanit në rrethana ende të pasqaruara.

Dosjet dhe viktimat janë të evidentuara. Vetëm ata që i kryen krimet vazhdojnë të jenë të lirë. Drejtësia është përgjigjja e vetme për familjet që vazhdojnë të presin zbardhjen e misterit të madh. Kush dhe pse e kreu krimin?