Biznesmeni Bedri Rexhepi, Foto: KALLXO.com

Prokuroria për rastin e biznesmenit Bedri Rexhepi: Dyshohet se u vra për përfitim të 30 mijë eurove

Përfitimi material prej 30 mijë euro, dyshohet të ketë qenë arsyeja e vrasjes së biznesmenit nga Prishtina, Bedri Rexhepi, kanë thënë sot nga Prokuroria e Shtetit.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka mbajtur sot konferencë lidhur me gjetjen e mbetjeve mortore (të dekompozuara), lidhur me rastin e zhdukjes së biznesmenit Bedri Rexhepi në prill të 2021.

Prokurori i rastit, Armend Hamiti tha se është vërtetuar që mbetjet mortore i takojnë Rexhepit ndërsa bëri të ditur se është ngritur aktakuzë ndaj dy personave për vrasje të rëndë.

Prokurori tha se motivi i ekzekutimit dyshohet të jetë përfitimi material, përkatësisht shumës rreth 30 mijë euro.

“Dje gjatë ditës kam informuar familjarët se në bazë të gjetjes është identifikuar identiteti i viktimës. Kam ngritur aktakuzë kundër dy personave, vëllezër, për vrasje të rëndë dhe dëmtim të kufomës. Motivi i kryerjes së këtyre veprave penale për fat të keq është i ulët. Rezulton se vrasja ka ndodhur për shkak të përfitimit material, gjegjësisht shuma 30 mijë euro” – tha prokurori Hamiti.

Hamiti duke folur për kronologjinë e hetimeve tha se në aktakuzë janë paraparë 29 dëshmitarë relevant.

“Menjëherë me Policinë e Kosovës kemi filluar hetimet për zbardhjen e këtij rasti. Kemi filluar me njësitin K-9 në pjesën ku është gjetur vetura, por nuk ka pas rezultat. Kanë filluar hetimet edhe në pjesën nga Artana apo Novobërda, në atë pjesë janë përfshi të gjitha njësitit e kërkim shpëtimit, as këtu nuk kanë dhanë rezultat fatkeqësisht. Anë pozitive e këtij hetimi është se kemi pas bashkëpunim shumë të ngushtë me Policinë e Kosovës, me FSK-në, AKI-në, që na ka ofruar pajisje për hetime. Nuk jemi ndal, se di sa herë kemi dal në teren për me e kërku trupin e të ndjerit, nuk ka pasur rezultate. 29 dëshmitarë relevant janë të paraparë në aktakuzë” – ka njoftuar prokurori i rastit, Armend Hamiti.

Ai shtoi po ashtu se janë siguruar të gjitha kamerat e sigurisë për hetime ndërsa kanë ekzaminuar edhe telefonat e të pandehurve.

“Me datën 30 shtator 2022 arritëm të gjejmë mbetjet mortore. Kemi bërë ekzaminim të telefonave të pandehurve. Është bërë hartofonia e telefonave. Janë siguruar të gjitha kamerat e sigurisë për hetime. Kemi zbatuar masa të fshehta të hetimeve. Në shtator 2022 kemi dal edhe në teren me të pandehurit, nuk kanë rezultuar ne sukses dy daljet, në ditën e tretë pa të pandehurit e kemi bërë identifikimin e vendit”- tha ai.

Biznesmeni Rexhepi nga Prishtina ishte zhdukur më 8 prill të vitit 2021 rreth orës 16:30.

Që nga fillimi në lidhje me këtë rast ka pasur disa persona të dyshuar për zhdukjen e Rexhepit.

Për po të njëjtin rast, në gusht të vitit 2021 ishte arrestuar edhe S.G, ndaj të cilit gjykata kishte shqiptuar edhe masën e paraburgimit.

Lidhur me këtë rast ishte arrestuar edhe një grua. Arrestimi kishte ndodhur në qershor të këtij viti.

Familjarët dyshimet më të mëdha i kishin në një klient me të cilin bashkëpunonte biznesmeni Rexhepi.

Prokuroria më 30 shator 2022 kishte njoftuar se ishin gjetur mbetje mortore (të dekompozuara), lidhur me rastin e zhdukjes së biznesmenit Rexhepi.

Sipas komunikatë së Prokurorisë, mbetjet mortore do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të nevojshme për të konstatuar identitetin.

Prokurori i rastit së bashku me njësitë policore përgjegjëse, Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), kishin dalë në një zonë kodrinore-malore të Novobërdës dhe gjatë verifikimit të terrenit është arritur të identifikohet një lokacion i dyshimtë me të cilën pas gjurmimit nga njësitë përgjegjëse janë gjetur mbetje mortore (të dekompozuara).

Këto mbetje mortore u tha se dyshohen se kanë të bëjnë me rastin e ‘Rrëmbimit’ dhe të njëjtat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të nevojshme për të konstatuar identitetin e këtyre mbetjeve.