Prokuroria ngrit aktakuzë dhe kërkon paraburgimin për të dyshuarin që kërcënoi deputeten Ariana Musliu- Shoshi
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë me kërkesë për csktim të masës së paraburgimit ndaj një personi i dyshuar për kanosje ndaj deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu- Shoshi.
Vetë prokuroria ka njoftuar për veprimet që ka ndërmarrë deri sa ka shpjeguar edhe se si erdhën kërcënimet.
Sipas aktakuzës, i pandehuri i lartcekur, më 2 maj të këtij viti rreth orës 19:00, përmes rrjetit social “Facebook”, me dashje dhe me qëllim të frikësimit e ka kërcënuar seriozisht të dëmtuarën në këtë rast deputeten Musliu- Shoshi.
I pandehuri A.B., nga një profil në rrjetin social “Facebook” i drejtohet: “…sa te vije ne pushim… edhe dy muj i ke jete midis Prishtinës ka met masakrue…”, ku me këtë rast tek e dëmtuara është shfaqur ndjenja e frikës, ankthit dhe e pasigurisë për jetën, andaj me këtë i pandehuri ka kryer veprën penale të kanosjes.
Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit t’i caktohet masa e paraburgimit dhe i njëjti të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.