Polici i vrarë në Istog, Izet Demaj. Foto: Kallxo.com

Prokuroria jep detaje për vjedhjen në shtëpinë e policit të vrarë, Izet Demaj

Mbrëmjen e së shtunës, në Vrellë të Istogut, brenda shtëpisë së policit të vrarë Izet Demaj ndodhi një vjedhje.

Policia ka njoftuar se rasti ka ndodhur rreth orës 22:00, ndërsa një grua ka raportuar se disa persona të panjohur kanë hyrë me forcë në shtëpinë e saj.

Sipas raportit të policisë, të dyshuarit kanë demoluar shtëpinë dhe kanë vjedhur një pistoletë, të cilën ankuesja e kishte me leje, dhe janë larguar në drejtim të panjohur.

Gjatë ditës së sotme, KALLXO.com ka kontaktuar me zëdhënësin e Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi në lidhje me këtë rast, i cili ka bërë të ditur se Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës të ndërmerr veprime e nevojshme.

“Prokuroria Themelore e Pejës ka autorizuar Policinë e Kosovës t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për identifikimin dhe arrestimin e kryesve të kësaj vepre penale”, ka thënë Nikçi.

Izet Demaj, 42 vjeçar, pjesëtar i Policisë së Kosovës, është vrarë me 27 dhjetor 2018, gjatë një grabitjeje të armatosur në Istog. Ai në përpjekje për t’i arrestuar hajdutët, në mbrojtje të qytetarëve dhe të të punësuarve që u morën peng në një filiale të bankës NLB në Istog, pas plagëve të marra nga arma e zjarrit vdiq, ku u vra edhe grabitësi  i bankës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për policin e rënë heroikisht në krye të detyrës dhe në mbrojtje të qytetarëve, Izet Demaj, ka ndarë urdhrin “Hero i Kosovës”.

“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, duke u bazuar në nenin 84(28) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenin 6 të Ligjit nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës, gjithashtu në nenin 6 të Ligjit nr. 04/L-070 për Dhënien e Dekoratave dhe në Rregulloren (P) nr. 04/2016, për policin e rënë heroikisht në krye të detyrës dhe në mbrojtje të qytetarëve, Izet Demaj, ka ndarë urdhrin ‘Hero i Kosovës’”.

Izet Demaj shpallet “Hero i Kosovës”