Prokuroria e Fierit sekuestron 1.8 milion euro pasuri të dyshuara nga aktivitete të paligjshme

Prokuroria e Fierit tha të mërkurën se u sekuestruan pasuri në vlerën e 1.8 milion eurove të një shtetasi, të dyshuar për përfshirje në trafik të lëndëve narkotike, si dhe në veprime të tjera me qëllim mbulimin e origjinës reale të pronave.

Sipas prokurorisë së Fierit mes pasurive të sekuestruara të shtetasit me inicialet A. M janë toka, apartamente dhe troje ndërtimi, 14 makina luksoze, mes të cilave një “Ferrari” me vlerë e rreth 130 mijë euro, llogari bankare në vlerën e 120 mijë eurove dhe sende të çmuara me vlera të konsiderueshme.

Sipas prokurorisë së Fierit, “ndaj shtetasit A.M dhe të personave të lidhur me të është kryer hetim i plotë i veprimeve ekonomike dhe juridike, për evidentimin e pasurive që këto persona zotërojnë, si dhe nëse kanë pasur burimeve të ligjshme për krijimin e tyre”.

Prokuroia e Fierit thotë se “pas kryerjes së verifikimeve dhe ekspertimit kontabël të tyre, ka rezultuar se ato nuk kanë burime të ligjshme për krijimin e pasurisë në zotërim apo posedim të tyre”.

Sipas prokurorisë së Fierit “këto pasuri janë një pjesë e atyre që janë përcaktuar të sekuestrohen, ndërkohë që vijon puna e policisë gjyqësore për të ekzekutuar dhe sekuestrimin e sendeve të tjera”.

Prokuroria e Fierit e kishte nisur procedimin penal për këtë rast katër vite më parë. Sipas prokurorisë “disa nga makinat luksoze dhe sendet me vlerë janë sekuestruar gjatë kontrollit të banesës apo mjediseve, të personave që janë objekt i hetimeve”.

Pak ditë më parë Prokuroria e Fierit sekuestroi edhe prona të dy shtetasve të tjerë në dy raste, të dyshuara se kanë ardhur nga burime të paligjshme.

Në rastin e parë prokuroia e Fierit me miratim të gjykatës sekuestroi një hotel- restorant trekatësh të një shtetasi nën hetim për “pastrim të produkteve të veprës penale”, ndërsa në rastin e dytë 6 pasuri, apartamente dhe sipërfaqe tokash të një shtetasi të dyshuar për prodhim dhe trafikim të lëndëve narkotike./VOA.