Prokurorët kërkojnë ta pengojnë ish presidentin Trump që t’i ndajë provat e çështjes së 6 janarit

Prokurorët federalë i kanë kërkuar një gjyqtari federal ta refuzojë kërkesën e Donald Trump për më pak kufizime mbi mënyrën se si ai mund të ndajë publikisht prova në çështjen që përfshin përpjekjet e tij për t’i përmbysur zgjedhjet e vitit 2020, duke argumentuar se ish-presidenti po kërkon të abuzojë me procesin e zbulimit.

“I pandehuri kërkon të përdorë materialin e zbulimit për ta diskutuar këtë çështje në media”, shkruajtën prokurorët në një përmbledhje tetë faqeshe të hënën. “Por kjo është në kundërshtim me qëllimin e zbulimit kriminal, që është t’u japë të pandehurve aftësinë për t’u përgatitur dhe për të ngritur një mbrojtje në gjykatë”.

Regjistrimet gjyqësore, të dorëzuara tek gjyqtarja e gjykatës së qarkut të SHBA, Tanya Chutkan, e cila po e mbikëqyr çështjen, nënvizuan komentet e bëra gjatë fundjavës nga avokati i Trump, John Lauro, rreth ish-zëvendëspresidentit Mike Pence që ishte një dëshmitar i mundshëm për ta vënë theksin tek rëndësia e kufizimeve të rrepta.

“Rregullat e këtij qarku e ndalojnë avokatin mbrojtës që ta bëjë pikërisht atë që ai e ka deklaruar se synon ta bëjë me zbulimin nëse lejohet: të publikojë, jashtë gjykatës, detaje të këtij rasti, duke përfshirë dëshminë e dëshmitarëve të parashikuar”, shkruajnë prokurorët.

Trump e ka karakterizuar aktakuzën si një gjueti shtrigash politike dhe duke shkelur të drejtat e tij të amendamentit të parë, sipas së cilës Trump akuzohet për katër krime për përpjekjen e tij për ta penguar certifikimin në Kongres të fitores elektorale të kandidatit demokrat Joe Biden më 6 janar 2021 dhe për t’i përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020.

Për këtë qëllim, avokatët e tij paraqitën një raport më herët të hënën duke i kërkuar gjyqtarit ta lëshojë një urdhër mbrojtës më pak kufizues, një hap rutinë në çështjet penale për të siguruar që provat që u janë dorëzuar të pandehurve në zbulim përdoren për të ndihmuar në ndërtimin e një mbrojtjeje dhe jo për t’i qetësuar dëshmitarët. 

Dokumenti prej 29 faqesh kërkon përshtatje të ndryshme, si p.sh. t’i japë Trumpit mundësinë për të bërë publike çdo transkriptim të intervistave të dëshmitarëve që nuk mbrohen nga rregullat e fshehtësisë së jurisë së madhe dhe për ta zgjeruar rrethin e njerëzve që mund të kenë qasje në materialin e zbulimit./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala