Ish-presidenti Trump akuzohet zyrtarisht sot në një seancë gjyqësore  

Ish-presidenti amerikan Donald Trump do të akuzohet zyrtarisht në një seancë gjyqësore të enjten me akuzat për komplot për ta përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020.

Trump do të paditet pasi u akuzua për një sërë skemash të supozuara për ta penguar fitoren e Presidentit Joe Biden dhe sjelljen e tij pas sulmit të përkrahësve të tij në Kapitol Hill të SHBA.

Ndonëse ky nuk do të jetë udhëtimi i parë i ish-presidentit në kryeqytet pasi kundërshtoi inaugurimin e Bidenit, pamja e autokolonës së tij duke ecur nëpër Uashington, DC, mund të shkaktojë trauma që ende ndjehen nga banorët gjatë një dite të errët në histori 31 muaj më parë.

Në prag të gjykimit, Trump e kritikoi rastin ndaj tij si provë e “korrupsionit, skandalit dhe dështimit” të SHBA nën presidencën e Joe Biden.

Trump tashmë përballet me dy raste të tjera penale ndërkohë që po bën fushatë për presidentin e ardhshëm të SHBA-ve.

Siguria është duke u rritur në Uashington DC për seancën dëgjimore të së enjtes.

Barriera metalike janë vendosur jashtë gjykatës federale ku do të lexohen zyrtarisht akuzat kundër Trump.

77 vjeçari Trump do të paraqitet në një gjykatë federale në Uashington DC të enjten në orën 16:00 sipas orës lokale të atjeshme. Ai pritet të deklarohet i pafajshëm. Edhe pse ai ka mundësinë të shfaqet nga distanca përmes video transmetimit, kuptohet se Trump do të marrë pjesë personalisht.

Në një postim me shkronja të mëdha në platformën e tij “Truth Social” të mërkurën, ish-presidenti, i cili ishte në klubin e tij të golfit në Bedminster, Neë Jersey, i falënderoi ndjekësit e tij dhe tha: “Unë asnjëherë nuk kam pasur kaq shumë mbështetje për asgjë më parë”.

Në postime të tjera, ai i sulmoi rivalët republikanë për president, duke përfshirë ish-zëvendëspresidentin e tij Mike Pence dhe guvernatorin e Floridës, Ron DeSantis.

Ai përsëriti argumentin e tij se Pence kishte autoritetin ligjor për ta ndaluar Kongresin ta certifikonte fitoren zgjedhore të zotit Biden më 6 janar 2021, procese që u ndërprenë ndërkohë që mbështetësit e Trump u revoltuan në Kapitolin e SHBA.

Sipas aktakuzës, Trump përballet me katër akuza, duke përfshirë komplotin për të mashtruar SHBA-në, ndërhyrjen e një dëshmitari dhe komplot kundër të drejtave të qytetarëve.

Disa të dyshuar të tjerë të akuzuar për përfshirje në trazirat e Kapitol Hillit të SHBA-së u shtynë seancat dëgjimore që ishin planifikuar për të enjten.

Trump është aktualisht kandidati kryesor në garën e partisë republikane për t’u zgjedhur si kandidat i ardhshëm presidencial.

Republikanët e Kongresit janë mbledhur rreth tij, duke argumentuar se aktakuza e fundit tregon se SHBA është bërë një “republikë banane” dhe duke i bërë jehonë pretendimit të ish-presidentit se ndjekjet penale përbëjnë ndërhyrje në zgjedhje.

Aktakuza prej 45 faqesh në lidhje me zgjedhjet kundër Trump bazohet pjesërisht në shënimet e njëkohshme që Pence i mbajti në bisedat e tyre në ditët para trazirave të Kapitolit të SHBA.

Trump tashmë është akuzuar në dy raste të tjera: për keqpërdorim të dosjeve të klasifikuara dhe falsifikimin e të dhënave të biznesit për të mbuluar një pagesë në këmbim të heshtjes ndaj një aktor filmash porno.

Prokurorët në Gjeorgji mund ta ngrenë një çështje penale kundër Trump këtë muaj mbi përpjekjet e supozuara për ta përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 në atë shtet./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala