Projektligji për KPM-në procedohet për votim në seancë plenare, opozita kërkon të dërgohet në Komision të Venecias

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ka proceduar për votim në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, raportin me amendamente të komisioneve të përhershme parlamentare lidhur me Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media.

Kryetari i Komisionit, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani, konstatoi që pro këtij vendimi votuan gjashtë deputetë të komisionit.

Deputetët Mërgim Lushtaku nga PDK dhe Agim Veliu nga LDK nuk kanë marrë pjesë në votim.

Ata kanë kërkuar që projektligji të dërgohet në Komision të Venecias.

Lushtaku, propozoi që projektligji të dërgohet në Komision të Venecias nga Komisioni Parlamentar, jo nga partitë politike.

“Ka pasur shumë ndryshime ky projektligj. Shihet se ka mbështetje. Kisha kërkuar që të dërgojmë për shqyrtim edhe në Komisionin e Venecias pasi është një projektligj i rëndësisë së veçantë që ka të bëjë me demokracinë, shprehjen e lirë dhe harmonizimin e medias së lirë. Që t’ia jap një pasqyrë më të mirë këtij projektligji, ta dërgojmë si komision- jo si parti politike”- ka thënë ai.

Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka përkrahur iden që Projektligji të dërgohet në Komision të Venecias.

“Meqë gjatë gjithë fazave të trajtimit të projektligjit si opozitë kemi bërë shumë propozime që nuk janë marr parasysh, është mirë që me u gjetë një mekanizëm që ky projektligj i plotëson standardet, e në këtë rast e përkrahi edhe mendimin e deputeti Lushtaku që të shkoj në Komisionin e Venecias, sepse në bazë të reagimeve të shoqërisë civile dhe mediave ky projektligj prek pak a shumë lirin e shprehjes dhe punës së mediave në përgjithësi. Në këtë formë si është votat e LDK-së nuk do t’i ketë”, ka thënë ai.

Si kundërpërgjigje ndaj këtyre propozimeve, kryetari i komisionit Ramadani tha se në këtë fazë nuk ka mundësi që të Projektligji të dërgohet në Komisionin e Venecias.

“Nuk di a ka një ligj që është diskutuar më shumë. Në këtë fazë nuk kemi mundësi që të shkojmë në Komision të Venecias. Kjo mund të vendoset në instanca të tjera. Ne si komision sot e kemi obligim ta përcjellim për seancë [për lexim] të dytë. Ky ligj është dashtë 6 vite më parë të plotësohet e ndryshohet, por më mirë vonë se kurrë”- ka thënë ai.

Organizata të shoqërisë civile në fushën e medias dhe aktivistë kanë pasur një mal me kërkesa dhe komente në lidhje me Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM).

Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias, ka thënë sot, më 21.06.2024, se Projektligji është në kundërshtim me standardet e Këshillit te Europës dhe të Bashkimit Europian .

“Projektligji është ne kundërshtim flagrant me standardet e Këshillit të Evropës dhe te Bashkimit Europian dhe është kundërshtuar nga institucionet ndërkombëtare dhe shoqëria civile. 83% të rekomandimeve të Këshillit të Evropës janë injoruar gjate procesit të draftimit”- ka thënë ajo.

Me 07.03.2024, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), i cili ka ngjallur debat nga ana e aktivistëve dhe gazetarëve.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ndryshimet e propozuara në Ligjin e ri për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) i ka quajtur përpjekje të Qeverisë për t’i kontrolluar mediat online që kanë përmbajtje të videove.

Ky Projektligj i dorëzuar më 27.12.2023 parasheh që platformat për shpërndarje të video-materialeve dhe mediat online t’i nënshtrohen regjistrimit nga KPM-ja nëse dëshirojnë të publikojnë audio dhe video materiale.

Neni 4 saktëson se për të shpërndarë video, platformat për shpërndarje të videove dhe mediat online duhet t’i nënshtrohen aplikimit për regjistrim, respektivisht licencimit në KPM, proces ky që kërkon një certifikatë biznesi në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK) dhe vërtetime nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).

Mediat online deri më tani funksiononin si biznese pa pasur nevojë për regjistrim pranë KPM-së, ndërsa dëshmonin zotimin për etikë duke qenë anëtarë të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK).

Misioni i OSBE në Kosovë dhe Përfaqësuesi Special i BE-së e kanë mirëpritur opinionin ligjor të përgatitur nga Këshilli i Europës për  këtW projektligj.

Përmes një postimi në Facebook, OSBE ka deklaruar se e mbështet qëllimin e projektligjit për të harmonizuar legjislacionin e Kosovës me dispozitat përkatëse të BE-së, duke përfshirë Direktivën e Shërbimeve Audio-Vizuale.

“Megjithatë, siç thekson raporti i KiE-së, nevojitet më shumë punë në draft për të siguruar që ai të mos e minojë pavarësinë e KPM-së dhe as të mos krijojë mospërputhje ligjore”- është thënë nga OSBE.

Ky institucion në Kosovë ka rekomanduar “që Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale, Media dhe Zhvillim Rural të Kuvendit të lërë kohë për shqyrtimin e duhur të raportit dhe konsultimin me palët e interesuara të sektorit të medias, në mënyrë që rekomandimet e tij më pas të pasqyrohen në një draft të ri”.