Projektligji për KPM-në, Mehmeti propozon përfshirjen e paragrafëve që kanë të bëjnë me dezinformimin në media

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ka vazhduar shqyrtimin e Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave.

I pranishëm në mbledhjen e mbajtur më 28.05.2024, ka qenë edhe kryetari i Bordit të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), Jeton Mehmeti, i cili ka propozuar që në Projektligj të përfshihen dy propozime lidhur me cështjen e dezinformimit në media.

Mehmeti tha se sipas opinionit të Këshillit të Europës, ekziston rreziku për përfshirjen e termit dezinformim për shkak se si term ende mbetet i paqartë.

“Kemi lexuar edhe njëherë me vëmendje opinionin ligjor nga KiE të kapitulli për dezinformimin dhe edukimin medial. Opinioni paraqet rrezikun e përfshirjes së definicionit të dezinformimit në legjislatura vendëse, pasi thotë që është term akoma i paqartë dhe mund të cenojë lirinë e shprehjes. Ne po paraqesim dy propozime. Paragrafi i 5-të: ofruesit e shërbimeve mediale nuk mund të transmetojnë materiale për të cilin e din ose duhet ta din se është i pa vërtetë ose mashtrues. Dhe paragrafi i 6-të: ofruesit e shërbimeve mediale dhe platformat për shpërndarjen e videove të promovojnë zhvillimin e edukimit medial për qytetarët e të gjitha moshave”- është shprehur ai.

Sipas tij, me këto dy paragrafë u bëhet e qartë mediave që të mos transmetojnë informata të pavërteta.

Lidhur me ketë çështje, deputeti i LVV-së, Besim Muzaqi, ka thënë se kjo përfshihet edhe në Ligjin për shpifjet.

Ndërsa, kryetari i Komisionit, Valon Ramadani ka deklaruar se për çështjen e dezinformimit duhet të ketë rregullore të KPM-së.

“Për çështjen e dezinformimit duhet të ketë një rregullore prej KPM-së … Po e kuptoj që është ende e paqartë të puna e definimit. Duhet me pas rregullore që e rregullon. Nuk mundemi me fut në ligj ketë komplet. Mundemi me bë një nen rreth kësaj çështje”- ka thënë ai.

Ndërsa, Mehmeti ka thënë se KPM e ka Kodin e Etikës ku parashihet kjo çështje.

“Rezoluta e cila i referohet KiE-së është nxjerr dhe detyron shtetet anëtare të marrin masa konkrete në parandalimin e dezinformatave në kohën e zgjedhjeve. Si rezolutë edhe Kuvendi mund ta nxjerr me iniciativën e juaj. Si KPM kemi Kodin e Etikës me të cilin parashohim lajmin e pasaktë, të pabalancuar e të tjerë. Termin dezinformim nuk e kemi aty se kodi është bërë para disa viteve. Mund të vendoset aty një paragraf ku thotë që KPM përmes Kodit të Etikës ndërmerr mekanizma konkret për parandalimin e dezinformimit”- ka thënë ai.

Kryetari dhe anëtarët e Komisionit u pajtuan që të takohen edhe një ditë tjetër për të shqyrtuar çështjet e mbetura lidhur me këtë projektligj.

Mbledhja e radhës u caktua për të enjten, më 30.05.2024, kur edhe pritet të hedhet në votim Projektligji për KPM-në në komision.

Misioni i OSBE në Kosovë dhe Përfaqësuesi Special i BE-së e kanë mirëpritur opinionin ligjor të përgatitur nga Këshilli i Europës  për Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave.

Përmes një postimi në Facebook, OSBE ka deklaruar se e mbështet qëllimin e projektligjit për të harmonizuar legjislacionin e Kosovës me dispozitat përkatëse të BE-së, duke përfshirë Direktivën e Shërbimeve Audio-Vizuale.

Ndërsa, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës të përmirësojë Projektligjin për KPM-në pas opinionit ligjor të Këshillit të Europës lidhur me ketë projektligj.

Përmes një reagimi, AGK ka theksuar se KiE ka konfirmuar që disa aspekte të projektligjit nuk janë në përputhje me standardet më të mira europiane.

“Aspektet kryesore të kritikuara nga Këshilli i Europës janë: ndryshimi i projektligjit për KPM-në pa koncept dokument në kundërshtim me rregulloren e qeverisë, mënyrën e definimit dhe rregullimit të mediave online, ndryshimet rrënjësore në përbërjen, emërimin, mandatin dhe shkarkimin e anëtarëve të KPM-së, largimin e kufizimit ligjor që në të kaluarën ia pamundësonte partive politike dhe bashkësive fetare hapjen e televizioneve dhe radiove dhe mungesën e transparencës gjatë nismës legjislative”- thuhet në reagim.