Problemet e Kosovës mund të mos e kenë arritur pikën kritike, situata është ende në acarim e sipër

Shenjat e kësaj fundjave sugjerojnë se kriza e menjëhershme mbi Kosovën është zbutur. Disa trupa serbe po tërhiqen nga kufiri dhe kërcënimi i një kthimi në konflikt të armatosur tani për tani është zvogëluar.

Administrata e Biden-it veproi me vendosmëri të premten, duke marrë disa nga mësimet nga periudha para pushtimit të Ukrainës nga ana e Rusisë, duke dalë publikisht me informacione nga inteligjenca amerikane mbi lëvizjet e trupave serbe dhe duke e kërcënuar Beogradin me sanksione dhe izolim. Forca paqeruajtëse e NATO-s, KFOR, u përforcua menjëherë me transferimin e komandës së një batalioni të trupave britanike që ndodheshin në këtë rajon për stërvitje.

Ndërkohë që rreziku i menjëhershëm mund të ketë kaluar, megjithatë, kriza kronike mbi Kosovën vazhdon të acarohet. Pesëmbëdhjetë vjet pasi e shpalli pavarësinë e saj nga Serbia, Kosova është ende në harresë në skenën botërore, me njohje nga pak më shumë se gjysma e 193 shteteve anëtare të OKB-së.

Në fund të viteve 1990, Serbia luftoi për ta ndaluar Kosovën të shkëputej nga territori i saj pas viteve të reprsionit mbi popullatën e saj etnike shqiptare. Kundër-kryengritja brutale e Beogradit dhe fushata e spastrimit etnik shkaktuan një ndërhyrje të NATO-s dhe fushatën e bombardimeve ajrore në vitin 1999 që përfundimisht çoi në tërheqjen e Serbisë.

Pavarësia formale e Kosovës ndodhi vetëm nëntë vjet më vonë pas konsultimeve të sponsorizuara nga OKB-ja dhe pas një plani të krijuar për t’i dhënë mbrojtje thelbësore pakicës serbe në shtetin e ri.

Që atëherë, Serbia dhe mbështetësi i saj kryesor, Rusia, kanë bërë një fushatë në prapavijë për ta bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organet ndërkombëtare, të nxitur nga frika e shumë shteteve, duke përfshirë pesë anëtarë të BE-së, se njohja do të krijojë një precedent për shkëputjen e pakicave të tyre etnike.

Beogradi gjithashtu e ka mbajtur situatën në katër komuna veriore me shumicë serbe në një gjendje të vazhdueshme ndezjeje, ndonjëherë të ndihmuar nga përpjekjet e mëdha për ta demonstruar sovranitetin nga qeveria në Prishtinë. Kosova ende nuk mund ta konsiderojë ekzistencën e saj si të mirëqenë.

Ngjarjet e javës së kaluar mund të jenë një pikë kthese, në varësi të faktit nëse ato çojnë në një rishikim të politikës në Uashington dhe Bruksel.

Të dyja qendrat kanë investuar shumë në një plan franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve, në të cilin Serbia nuk do të duhej ta njihte plotësisht, por të paktën t’i njihte pasaportat, flamurin dhe atributet e tjera të kombësisë së Kosovës, Beogradi do ta ndalonte bllokimin e Kosovës nga anëtarësimi në institucione shumëpalëshe. dhe në këmbim Prishtina do ta lejonte themelimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe, duke e forcuar autonominë e tyre.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u dakorduan me këto parime në takimet e ndërmjetësuara nga BE-ja, por Vuçiq refuzoi të nënshkruante çfarëdo dokumenti dhe e siguroi publikun e tij se nuk do të lejonte asnjëherë që Kosova të bëhej anëtare e OKB-së.

Si pasojë, Kurti refuzoi të vazhdojë me themelimin e asociacionit të komunave serbe, duke refuzuar t’u besojë garancive të ndërmjetësuesve të BE-së se Serbia do t’i përmbushë premtimet e veta në një datë të mëvonshme.

Përgjigja nga Uashingtoni dhe Brukseli ishte për t’i vënë fajin ekskluziv Kurtit, kryesisht sepse Vuçiqi qe në gjendje të bënte lojë me qeveritë perëndimore kundër Rusisë dhe Kinës në konkurrencë për favorin e Beogradit. Për shembull, SHBA ishte mirënjohëse për votat serbe kundër Rusisë në debatet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për Ukrainën, pavarësisht kundërshtimit të vendosur të Beogradit për të vënë sanksione ndaj Moskës.

Administrata e Biden-it dhe BE-ja tani duhet të shqyrtojnë nëse janë mashtruar. Ndërkohë që Vuçiq i tha të gjitha gjërat e duhura në mënyrë private, qeveria serbe po ngriste një ushtri serbe duke i vërshuar mediat e Serbisë me urrejtje dhe frikë ndaj Kosovës, duke e akuzuar rrejshëm Kurtin për kryerjen e “spastrimit brutal etnik”.

Më 24 shtator, një grup paraushtarak i serbëve të Kosovës të mirëarmatosur i zunë pritë një patrulle të policisë kosovare dhe në përleshjen që pasoi, një polic dhe tre serb të armatosur u vranë. Qeveria e Kosovës paraqiti dëshmi për të treguar se grupi ishte armatosur dhe i kontrolluar nga Beogradi, dhe zyrtarët e SHBA-së e kanë bërë të qartë privatisht se ato prova për ta janë bindëse.

Prita mund të jetë projektuar për ta ndezur një konflikt në veri të Kosovës përmes të cilit do t’i ofronte një mbulesë Beogradit zyrtarpër të dërguar trupat e saj gjoja për t’i mbrojtur serbët etnikë. Një qëllim alternativ mund të ketë qenë ta detyronte KFOR-in ta forconte praninë e tij dhe ta merrte nga autoritetet e Prishtinës përgjegjësinë kryesore për sigurinë në veri të Kosovës. Ky do të ishte një hap prapa për sovranitetin e Kosovës.

Nëse kjo e fundit ishte rasti, Vuçiq tashmë pjesërisht ia ka dalë. Nëse ai fiton varet tërësisht tani nga ajo se ç’drejtim merr politika perëndimore./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala