Prizren: Pushimorja në fshatin Nashec po përgatitet për karantinë

Komuna e Prizrenit po përgatit pushimoren në fshatin Nashec në raste nevojë për ta përdorur  si karantinë.

Në kuadër të veprimeve që ka ndërmarrë gjatë javës për parandalimin dhe trajtimin e pandemisë COVID-19, Komuna e Prizrenit ka njoftuar se Drejtoria për Emergjenca dhe Siguri po angazhohet në krijimin e kushteve elementare në pushimoren në Nashec që në rast nevoje mund ët përdoret si karantinë.

Për KALLXO.com drejtori Faruk Dakaj tha se kjo pushimore ka 16 dhoma, ka kuzhinën me mensë dhe i plotëson kushtet e kërkuaar.

“ Kjo nga Komuna është paraparë si vend ideal, pasi që është larg nga qyteti, dhe në afërsi të asaj qendre nuk ka shtëpi, ndërsa aty do që qëndrojnë personat të cilët dyshohen se janë prekur me COVID-19, pra do të vendosen aty për një periudhe të arsyeshme deri kur të  dalin rezultatet e testeve  dhe pastaj IKSHP-ja do të vendoset si të veprohet me ata persona” tha drejtori i Emergjencave Faruk Dakaj.

Komuna ditëve të fundit ka punuar në rifunksionalizimin e pushimore, duke funksionalizuar rrymën, ujin, dhe janë ndërruar bravat e dyerve dhe disa riparime tjera.

Këto ditë pritet të bëhet dezinfektimi  i tërësishëm i kësaj hapësire.

Disa ditë më parë ish-kryeministri Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, nëpërmjet një shkrimi në Facebook kishte bërë thirrje për Qeverinë që objekti i Parkut Inovativ në Prizren të përgatitet si qendër për karantinë.

Këtë propozim e kishin kundërshtuar pozita dhe opozita në Prizren, duke thënë se kjo do të kishte përmasa të rrezikshme, dhe se do të ndikonte në rritjen e frikës dhe makthit, jo vetëm për banorët e disa lagjeve të përafërta, që kanë një distancë të shkurtër nga kampi, por edhe për tërë qytetin.

Qeveria ka marrë vendim që Qendra e Studentëve në Prishtinë, të shndërrohet në karantinë.

Sipas këtij vendimi, të gjithë personat që vijnë nga jashtë dhe dyshohen se janë të infektuar me virusin COVID-19, do të vendosen në këtë karantinë, për tu trajtuar.

Qendra e Studentëve ka kapacitet për rreth 4 mijë persona.

Qendra e Studentëve kthehet në karantinë (FOTO)