Parku Inovativ, Prizren

Pozitë e opozitë bashkohen në Prizren, kundër planit që ish baza e KFOR-it të kthehet në karantinë

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, dje nëpërmjet një shkrimi në Facebook kishte bërë thirrje për Qeverinë që objekti i Parkut Inovativ në Prizren të përgatitet si qendër për karantinë.

“Menjëherë të përgatitet Parku Inovativ Trajnues në Prizren si qendër rezervë për karantinë dhe trajtim mjekësor duke u shërbyer me planin operativ i cili është aplikuar me rastin e tërmetit në Shqipëri, ku u strehuan të prekurit atje”, kishte shkruar Haradinaj.

Drejtori i Shëndetësisë në Prizren, Visar Shehu, sot ka thënë se ky park nuk do të shndërrohet në karantinë për të prekurit nga coronavirus.

“Këtë e kemi thënë disa herë si qeverisje lokale, por më duhet të përsëris pasi kreu i një partie opozitare po përhap dezinformata në opinion krejtësisht për qëllime politike”, ka shkruar drejtori Shehu duke iu referuar deklaratës së ish kryeministrit Haradinaj.

Sipas Shehut, Komuna e Prizrenit ka ndërmarrë të gjitha masat të urdhëruara nga Ministria e Shëndetësisë, dhe stafi mjekësor është mobilizuar maksimalisht si dhe për momentin ka edhe mjete të mjaftueshme për tu përballur me epideminë e coronavirusit.

Parku Inovativ, Prizren

“Nuk ka vend për panik, e aq më pak për përhapje të dezinformatave. Të gjithë ata që duan të kontribuojnë këto ditë për të mirën e përbashkët janë të mirëseardhur”, përfundon Drejtori i Shëndetësisë, Visar Shehu.

Edhe kryetari i PDK-së në Prizren ish kandidati për kryetar të Komunës Shaqir Totaj ka reaguar duke e kundërshtuar një plan të tillë.

Totaj ka thënë se “Dega e PDK-së në Prizren është kundër idesë që Parku Inovativ dhe Trajnimeve në Prizren, (ish kapi i KFOR-it gjerman), të shndërrohet në Karantinë për të prekurit nga Coronavirusi”.

Sipas tij, një veprim i tillë për vendosjen e karantinës në brendësi të qytetit, do të jetë përmasa të rrezikshme. Kjo do të ndikonte në rritjen e frikës dhe makthit, jo vetëm për banorët e disa lagjeve të përafërta, që kanë një distancë të shkurtër nga kampi, por edhe për tërë qytetin.

Këtë propozim Totaj e konsideron “si ide të lansuar nga njerëz amatorë”.

Ish baza e KFOR-it Gjerman në Prizren e shndërruar në park inovativ kishte rihapur dyert për të strehuar mbi 500 persona të ardhur nga Shqipëria, pas tërmetit që goditi Shqipërinë në nëntor të vitit 2019.

Deri më tani në Kosovë janë identifikuar 16 persona të prekur me virusin COVID-19. Qytetet si Vitia, Malisheva, Podujeva dhe Klina janë në karantinë pasi në këto qytete u identifikuan disa të prekur me virus.

Mosha e kosovarëve të identifikuar me coronavirus

Ndërkaq, tre persona të prekur me coronavirus janë identifikuar në Aeroportin e Prishtinës pasi erdhën nga Londra.

Qeveria e Kosovës ditë më parë ka shpallur gjendjen emergjente pas situatës me rrezikun e shpërndarjes së këtij virusi.

Momentalisht në botë numërohen mbi 180 mijë të infektuar me këtë virus, dhe mbi 7 mijë kanë vdekur, ndërsa janë shëruar mbi 79 mijë persona.

Vendet më të prekura në botë nga virusi janë Kina dhe Italia.