Prizren – Kompania që aktivitet primar ka tregtinë me pjesë të automjeteve fiton tender 20 mijë euro për COVID-19

Kur kanë kaluar 71 ditë që kur në Kosovë janë shfaqur rastet e para me COVID-19, Komuna e Prizrenit ka konfirmuar 120 raste në total.

Nga ky numër i rasteve të shfaqura në Komunën e Prizrenit, janë 67 persona të shëruar, janë shënuar 2 viktima ndërsa janë aktive 51 raste.

Janë bërë thuajse 5 muaj që kur kanë filluar të përhapen rastet e para nëpër shtete të ndryshme të botës, e me përhapjen e numrit janë përhapur edhe informacione të shpejta.

Edhe në Kosovë IKSHP dhe Ministria e Shëndetësisë bashkë me mikrobiologë të ndryshëm në vazhdimësi kanë ofruar informacione të ndryshme për mbrojtjen dhe parandalimin e pandemisë COVID-19.

Tashmë është çështje sekondash kur secili me të kërkuar fjalën COVID-19 në çfarëdo faqe interneti arrin t`i lexojë mijëra informacione të ndryshme.

Por Komuna e Prizrenit do të shpenzon 20 mijë euro në një kontratë të nënshkruar më datë 19.05.2020 me procedurë të negocimit, pra pa tender të hapur ku kanë të drejtë të konkurrojnë disa operatorë ekonomik me çmime të ndryshme, kontratë me titullin “ Sensibilizimi i qytetarëve të Komunës së Prizrenit për parandalimin e COVID-19“.

 

Iniciativa e kësaj kontrate ka qenë sipas kërkesës së Drejtorisë së Shërbimeve Publike që udhëhiqet nga drejtori Levent Kasemi, i cili është edhe menaxher i kontratës, dhe periudha e realizimit të kësaj kontrate është 6 muaj.

Të pyetur nga KALLXO.com menaxheri i kontratës Levent Kasemi ka thënë se Komuna fillimisht ka kontaktuar katër kompani, ndërsa ka pranuar oferta vetëm nga dy operatorë ekonomik. “CONS ENG SH.P.K” që kishte ofruar çmimin 20,378.60 euro, dhe operatori ekonomik “Office 1 Kosova Sh.P.K”, ky i fundit kishte ofruar çmimin prej 21,918.50 euro.

Kontratën për sensibilizimin e qytetarëve për parandalimin e COVID-19 Zyra e Prokurimit ia ka dhënë kompanisë “CONS ENG Sh.P.K”, meqenëse kriteri për dhënien e kontratës ka qenë çmimi më i ulët.

 

KAXLLO.com ka kërkuar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) kompaninë përfituese të këtij tenderi, ndërsa sipas të dhënave që përputhen Kompania përfituese e kësaj kontrate “CONS ENG SH.P.K”, është me seli në Prishtinë në rrugën ‘Dalip Alshiqi’ e përfaqësuar nga Bekim Syla.

 

Kjo kompani në ARBK në përshkrimin e aktivitetit të saj del se aktivitet primar e ka tregtinë me pakicë të pjesëve dhe aksesorëve të automjeteve.

Ndërsa aktivitetet e shoqatave profesionale është aktiviteti sekondar i kësaj kompanie.

 

Disa nga aktivitetet tjera të kësaj kompanie janë si vijon: aktivitetet e këshillimit për biznes dhe këshillat tjera për menaxhim, aktivitete të këshillimeve kompjuterike, aktivitete të tjera profesionale, shkencore dhe teknike.

Ndërsa kjo kompani që ka fituar tenderin 20 mijë euro për COVID-19, ka edhe disa aktivitete tjera të evidentuara: kërkimi dhe zhvillimi eksperimental në shkencat shoqërore dhe humane, arsimi i përgjithshëm i mesëm, dhe transporti rrugor i mallrave.

Drejtori i Shërbimeve Publike ka thënë për KALXO.com, se gjatë procedurave të negocimit kanë kërkuar nga kjo kompani që të jenë të përshtatshme administrativisht dhe teknikisht, si dhe kanë kërkuar nga operatorët që të ofrojnë dëshmi se kanë realizuar projekte të ngjashme.

Kompania që ka fituar tenderin prej 20 mijë euro për COVID-19, si datë të regjistrimit të biznesit në ARBK ka datën 23 prill 2019, ndërsa ka të paraqitur një kapital prej 1 mijë euro.

Ndërsa krahas këtyre aktivitet të regjistruara nga kjo kompani në ARBK, shërbimet të cilat kjo kompani do t`i ofron në kuadër të kontratës 20 mijë euro për COVID-19 janë krejtësisht të ndryshme.

Sipas kontratës së nënshkruar kjo kompani pritet i ofrojë këto shërbime: Info Grafik me voice dhe animacion, përpilimi i materialeve për parandalimin dhe luftimin e COVID-19, përgatitja dhe përpilimi i infografikave për shtyp dhe postime në Facebook, dizajnimi dhe programimi i ueb faqe në 3 gjuhë dhe mirëmbajtja për 6 muaj janë disa nga shërbimet që duhet t`i ofrojë kjo kompani në kuadër të kësaj kontrate.

 

Gjithashtu me këtë kontratë është paraparë që të ofrohet edhe shërbimi psikologjik nga praktikantë, përmes thirrjeve telefonike ku duhet të angazhohen 7 praktikantë për 3 muaj.

Komuna e ka arsyetuar këtë kontratë me përpjekjet që po bën për sensibilizimin e qytetarëve që në mënyrë sa më efikase të përballen dhe të tejkalojnë këtë pandemi, andaj në kuadër të këtyre përpjekjeve bën pjesë edhe kjo kontratë.

“Qëllimi i projektit, ashtu siç është përshkruar edhe në pozicione të paramasës veç e veç, ka për qëllim krijimin e grafikëve vizuale, infografikave, dizajnimin e uebfaqes si dhe manualeve, që kanë për qëllim vetëdijesimin e qytetarëve në këto kohë të sfiduese dhe të reja për të gjithë ne“, thuhet në përgjigjet e Komunës për KALLXO.com.

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).