Ilustrim - Arkiv

Prishtinë, afër një qendre tregtare arrestohet një grua që kishte një armë zjarri

Policia ka bërë të ditur se në afërsi të një qendre tregtare në Prishtinë ka arrestuar një grua, e cila ishte në posedim të një arme zjarri.

Sipas Policisë, e arrestuara është nga qyteti i Vitisë.

Ajo, sipas Policisë, në rrethana ende të pasqaruara ka marrë një armë zjarri dhe më pas me veturën e saj është larguar në drejtim të panjohur.

Sipas Policisë, dyshohej se ajo mund të lëndonte veten apo persona të tjerë.

E dyshuara më pas, sipas Policisë, është arritur që të identifikohet, lokalizohet dhe arrestohet afër një qendre tregtare në qytetin e Prishtinës pa i shkaktuar asnjë pasojë e pa lënduar veten apo të tjerët.

“Po ashtu gjatë arrestimit nga e dyshuara është konfiskuar edhe arma e zjarrit të cilën e dyshuara e kishte në posedim”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Me urdhër të prokurorit të shtetit e dyshuara është duke u intervistuar.

Gjithashtu, sipas Policisë, njësiti i hetimeve është duke punuar për ndriçimin dhe sqarimin e të gjitha rrethanave të rastit.