'Prishtina Parking' shpall konkurs për kryeshef ekzekutiv

Ndërmarrja publike lokale “Prishtina Parking” ka shpallur konkurs për kryeshef ekzekutiv.

Kryeshefi ekzekutiv zgjedhet nga bordi i drejtorëve për mandatin 3 vite.

Konkursi është i hapur nga data 08.09.2022 deri më datën 07.10.2022.

Kjo thirrje vjen pas dorëheqjes së ish-kryeshefit Liridon Restelica.

Në mbrëmjen e së hënës, 22 gusht, kryetari Përparim Rama njoftoi për një vendim të bordit të drejtorëve të NPL “Prishtina”.

Ai tha se u morë vendimi që të shkarkohet kryeshefi Liridon Restelica pasi kanë “konstatuar se veprimet e kryeshefit ekzekutiv, Liridon Restelica, duke përfshirë këtu keqpërdorimin e pozitës, mosinformimin e bordit në lidhje me planet dhe projektet investuese të ndërmarrjes e deri te mospërfillja e dordit të drejtorëve kanë shkaktuar keqmenaxhim të përgjithshëm të ndërmarrjes dhe kanë cenuar imazhin e NPL “Prishtina Parking””.

Madje në komunikatën për media, Komuna e Prishtinës ka publikuar edhe vendimin që mbanë datën 22 gusht 2022.

Por, në anën tjetër reagoi Liridon Restelica, kryeshefi i deridjeshëm duke thënë se ka dhënë dorëheqje me datën 19 gusht, e premte.

Restelica ka shkruar se do të shikoj mundësitë ligjore për mbrojtjen e reputacionit e tij dhe të kolegëve të ndërmarrjes publike komunale Prishtina Parking ku thotë se ka punuar me nder dhe përgjegjësi deri më tani.

“Ashtu si e do rregulli, njoftimi për dorëheqje, shkarkim apo te ngjashme, së pari i bëhet personit për kënd i drejtohet apo organit që të ka zgjedhur, e tek pastaj mediave dhe palëve të interesuara. Unë kam dhënë dorëheqje me datë 19 gusht 2022, ditë e premte, të njejtën e kam protokoluar pranë zyrës përkatëse të kompanisë ku kam kryer funksionin. Arsyet e dorëheqjes veqse janë të theksuara ne akt-dorëheqjen. Sot, u trumbetua nëpër media për kinse shkarkimin tim në orët e vona të mbrëmjes. Nuk kanë pasur nevojë për rrokada të tilla pasi dorëheqja ime ishte e parevokueshme” – ka shkruar Restelica në rrjetin social “Facebook” ku ka bashkangjitur edhe fotografinë e njoftimit për dorëheqje.

Kontrata 750 mijë euro e ‘Prishtina Parking-ut’, pozitë e opozitë kërkojnë të anulohet