Perparim Rama

Përparim Rama: Shkarkohet kryeshefi ekzekutiv i “Prishtina Parking”

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot bordi i drejtorëve të NPL “Prishtina Parking” ka konstatuar se veprimet e kryeshefit ekzekutiv, Liridon Restelica, duke përfshirë këtu keqpërdorimin e pozitës, mosinformimin e bordit në lidhje me planet dhe projektet investuese të ndërmarrjes e deri te mospërfillja e dordit të drejtorëve, kanë shkaktuar keqmenaxhim të përgjithshëm të ndërmarrjes dhe kanë cenuar imazhin e NPL “Prishtina Parking”.

Prandaj, kanë marrë vendim për shkarkimin e Restelicës.

Kryetari Rama ka njoftuar se vendimi për shkarkimin e Liridon Restelicës nga pozita e kryeshefit ekzekutiv hyn në fuqi sot.

Pak minuta më herët, Liridon Restelica ka publikuar një letër, përmes të cilës njoftonte se ai ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes.

Sipas tij, dorëheqja vjen si pasojë e presionit nga aksionarët e Kuvendi Komunal në NPL « Prishtina Parking” si dhe nga ushtruesi i detyrës së bordit të drejtorëve të ndërmarrjes për ndërprerjen e kontratës për menaxhimin e softuerit për menaxhimin e parkingjeve publike në Komunën e Prishtinës.