Kontrata 750 mijë euro e 'Prishtina Parking-ut', pozitë e opozitë kërkojnë të anulohet

Ndërmarja publike lokale “Prishtina Parking” në muajin korrik ka nënshkruar kontratë të re me kompaninë “INT Class Marketing Sh.p.k” në vlerë 250 mijë euro në vit për të kryer shërbime në menaxhimin e parkingjeve. Për tri vjet sa është kohëzgjatja e kontratës i bjen që vlera totale të jetë 750 mijë euro. Për të njëjta shërbime, kjo ndërmarje me të njëjtën kompani kishte nënshkruar kontratë në tetor të vitit 2021. 

KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresë të ndërmarrjes Prishtina Parking për të kërkuar sqarime shtesë për këtë kontratë, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

Procedurat janë kryer me procedurë të negociuar, pa njoftim paraprak. Tenderi iu dha kompanisë “INT Class Marketing Sh.p.k”.

Kontrata ka hyrë në fuqi me datën 27 korrik 2022 me afat deri më 27 korrik 2025.

Sipas kontratës, operatori ekonomik do të kryejë vendosjen në dispozicion për shfrytëzim nga NPL Prishtina Parking të sistemit të integruar të parkimit me pagesë në përdorim të autorizuar të operatorit ekonomik “Sistemi” i cili konsiston në një platformë elekontronike nëpërmjet të cilës NPL Prishtina Parking do të monitorojë dhe administrojë shërbimin e parkimit me pagesë nga qytetarët apo subjektet tregare në rrugë. 

“Kontrektisht nëpërmjet “Sistemit”, NPL Prishtina do të realizojë, parkimin publik me pagesë në rrugë dhe zonat e përcaktuara nga NPL “Prishtina Parking”, monitorimin e parkimit publik me pagesë nga qytetarët, arkëtimin e të ardhurave nga tarifat e parkimit publik me pagesë pranë buxhetit të NPL “Prishtina Parking”, Inspektimin e zbatimit nga qytetarët/subjektet tregtare të parkimit me pagesë në rrugë në zonat e përcaktuara si të tilla nga Komuna”, – thuhet në dosjen e kontratës.

Tutje pika tjetër e kontratës thotë se operatori ekonomik ka për obligim të ofroj, asistencë teknike gjatë gjithë kohëzgjatjes së kontratës, mirëmbajtjen e sistemit, ofrimin e asistencës teknike për pajisjet e dëmtuara, trajnimin e stafit të NPL Prishtina Parking të punësuar për vendosjen në punë, operimin, monitorimin dhe inspektimin e sistemit të kontrollit me pagesë të parkimit. 

Për të njëjta shërbime, kjo ndërmarje kishte lidhur kontratë me të njëjtën kompani me datën 15 tetor 2021 me afat deri më datën 14 tetor 2024. 

Vlera e përgjithshme e kontratës ka qenë 150,000.00 euro. 

Sipas kontratës, çmimet për shërbime janë përcaktuar në marrëveshjen financiare, lista e çmimit e negociuar nga autoriteti kontraktues dhe ofertuesi i shërbimeve 15 për qind të qarkullimit për cdo shërbim që e kryen operatori ekonomik. 

Sqarimi i NPL ‘Prishtina Parking’ 

Pas reagimeve që ka pasur në opinion, Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking” ka publikuar të premten, 19 gusht, një komunikate për media në të cilën thotë se shuma 750 mijë euro për 36 muaj, nuk është shuma që do t’i paguhet Operatorit Ekonomik, por sipas tyre, në bazë të kontratës së nënshkruar, ndërmarrja do t’i paguajë kompanisë 15 % të të hyrave për çdo shërbim që kryen kompania e kontraktuar nga ndërmarrja.

Në reagim kanë sqaruar se, nëse Operatori Ekonomik kryen shërbime nga të cilat Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking” inkason 100 euro, nga kjo shumë 15 % e të hyrave (15€) do t’i marrë kompania e kontraktuar për të kryer shërbimet.

“Gjithashtu në bazë të kontratës së nënshkruar, Operatori Ekonomik ka për obligim të furnizojë stafin me pajisje elektronike si telefona dhe printer digjital, ndërtimin e një server room, vijëzimin e të gjitha parkingjeve në të gjitha lagjet e Prishtinës, vendosjen e tabelave vertikale, mirëmbajtjen e sistemit, si dhe trajnimin e stafit për përdorimin e sistemit”.

“Është me rëndësi të theksohet se kompania e kontraktuar ka krijuar softuerin dhe tre aplikacione: aplikacioni ku palët paguajnë me sms, aplikacioni për banorët rezident si dhe aplikacioni për smart phone, ku për to është investuar një shumë e konsiderueshme e mjeteve nga kompania e kontraktuar. Prishtina Parking me punën dhe angazhimin e treguar është shndërruar në një Ndërmarrje model në vend, andaj çdo tentim për të prishur imazhin nga informata të pasakta të sponzorizuara që kanë dështuar të implementojnë sisteme të tilla, është i papranueshëm për ne” – thuhet tutje në reagimin e kësaj ndërmarje.

KALLXO.com ka dërguar pyetje për të marrë sqarime shtesë në këtë ndërmarrje për procedurat e këtij tenderi por ende nuk ka marrë përgjigje.

Përparim Rama tha se e shkarkoi, Liridon Restelica thotë se dha dorëheqje

Në mbrëmjen e së hënës, 22 gusht, kryetari Përparim Rama njoftoi për një vendim të bordit të drejtorëve të NPL “Prishtina”. Ai tha se u morë vendimi që të shkarkohet kryeshefi Liridon Restelica pasi kanë “konstatuar se veprimet e kryeshefit ekzekutiv, Liridon Restelica, duke përfshirë këtu keqpërdorimin e pozitës, mosinformimin e bordit në lidhje me planet dhe projektet investuese të ndërmarrjes e deri te mospërfillja e dordit të drejtorëve kanë shkaktuar keqmenaxhim të përgjithshëm të ndërmarrjes dhe kanë cenuar imazhin e NPL “Prishtina Parking””.

Madje në komunikatën për media, Komuna e Prishtinës ka publikuar edhe vendimin që mbanë datën 22 gusht 2022.

Por, në anën tjetër reagoi Liridon Restelica, kryeshefi i deridjeshëm duke thënë se ka dhënë dorëheqje me datën 19 gusht, e premte.

Restelica ka shkruar se do të shikoj mundësitë ligjore për mbrojtjen e reputacionit e tij dhe të kolegëve të ndërmarrjes publike komunale Prishtina Parking ku thotë se ka punuar me nder dhe përgjegjësi deri më tani.

“Ashtu si e do rregulli, njoftimi për dorëheqje, shkarkim apo te ngjashme, së pari i bëhet personit për kënd i drejtohet apo organit që të ka zgjedhur, e tek pastaj mediave dhe palëve të interesuara. Unë kam dhënë dorëheqje me datë 19 gusht 2022, ditë e premte, të njejtën e kam protokoluar pranë zyrës përkatëse të kompanisë ku kam kryer funksionin. Arsyet e dorëheqjes veqse janë të theksuara ne akt-dorëheqjen. Sot, u trumbetua nëpër media për kinse shkarkimin tim në orët e vona të mbrëmjes. Nuk kanë pasur nevojë për rrokada të tilla pasi dorëheqja ime ishte e parevokueshme” – ka shkruar Restelica në rrjetin social “Facebook” ku ka bashkangjitur edhe fotografinë e njoftimit për dorëheqje.

“Kontrata 750,000 euro e NPL Prishtina Parking duhet të anulohet”

Numri dy i Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu që vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) më 18 gusht kishte deklaruar se për këtë tender të ndërmarrjes “Prishtina Parking” po pret të pajisjet me “të gjitha informatat dhe materialet e këtij procesi nga kërkesa e parashtuar tek Kryeshefi i ndërmarrjes për konstatim përfundimtar”.

“Në ndërkohë ju siguroj që derisa jam në Kryeqytet, nuk do të ketë tolerancë në keq-qeverisje dhe nuk do të ketë heshtje për procese të dyshimta. Aq më pak në digjitalizim. As tash, as kurrë” – ka shkruar ajo në rrjetin social “Facebook”.

Përmes një postimi tjetër më 22 gusht, nënkryetarja e Prishtinës, pasi u bë publike shkarkimi/dorëheqja e Restelicës kërkoi anulimin e këtij tenderi dhe se duhet të jepet “përgjegjësi dhe të ndalohet keqpërdorimi në vazhdim”.

Sipas saj, nuk ka bazë për procedurë të negociuar e as nevojë për procdurë të përshpejtuar. Sipas nënkryetares,  kjo kontratë e shërbimit të parkingut në këto kushte nuk i bën mirë.

“Me pranimin e dokumentacionit të plotë të procesit për shpalljen e operatorit ekonomik fitues për kontratën “Shërbim me softuer për menaxhimin me parkingje publike në Komunën e Prishtinës.” shuhen shumë pikëpyetje. A ka bazë dhe nevojë për procedurë të përshpejtuar? Jo. A ka bazë për procedurë të negociuar? Jo. Ndonëse NPL thirret në faktin se operatori ekonomik fitues është operatori i njejtë që ka ndërtuar aplikacionet e kaluara, ka bazë të dyshohet se është lëshim i qëllimshëm duke mos e kërkuar pronësinë e kodit/pronës intelektuale në dorëzim të aplikacionit kur është ndërtuar” – ka shkruar ajo në rrjetin social “Facebook”.

Më tej, ajo ka ngritur dyshimet se dy aplikacione mobile identike janë ndërtuara nga i njëjti operator.

“A ka bazë në kërkesa për vlerën e kontratës? Jo. Volumi i kërkuar i punës mund të shndërrohet në jo më shumë se 3,000 orë pune. Çmimi i orës nuk mund të jetë 250 euro, edhe nëse heqim kostot e infrastrukturës. Hajde kontrata nuk shndërrohet në orë pune fare si njësi matëse. Nënshkrimi i kontratës si hisedarë me 15% të vlerës së qarkullimit dhe në mungesë të dorëzimit të pronësisë tek ndërmarrja përveç tjerash është edhe indikacion i kontraktimit të shërbimeve të ardhshme me të njejtin operator, me të njejtën procedurë A ka bazë dyshimi në kredencialet e operatorit ekonomik fitues? Po. Derisa online prezantohet si ofrues i shërbimeve të komunikimit në rrjete sociale, nuk ka asnjë kredencial online që e dëshmon përvojën e referencuar profesionale në kryerjen e shërbimeve të kërkuara” – shkroi tutje nënkryetarja.

Opozita mirëpret shkarkimin e kryeshefit pas reagimit për tenderët 

Pas vendimit të shkarkimit/dorëheqjes së kryeshefit Restelica, partia opozitare në Prishtinës, Lëvizja Vetëvendosje e ka mirëpritur duke thënë se u dëshmua reagimi i tyre për kontratën 750 mijë euro.

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar Bordi i Ndërmarrjes që menjëherë ta anuloj kontratën, gjithashtu thonë se presin veprime konkrete nga organet kompetente për hetimin dhe sqarimin e “të gjitha keqpërdorimeve të mundshme që kanë ndodhur deri tani”.

“U dëshmua se reagimi ynë për kontratën e dyshimtë të zhvilluar nga Ndërmarrja “Prishtina Parking”, ku një aplikacion kësaj Ndërmarrje i kushtoi 750.000.00€, ishte i drejtë dhe parimor. Kërkojmë nga Bordi i Ndërmarrjes që menjëherë ta anuloj kontratën të cilën e kemi denoncuar dhe poashtu presim veprime konkrete nga organet kompetente për hetimin dhe sqarimin e të gjitha keqpërdorimeve të mundshme që kanë ndodhur deri tani”.

Zhvillimet e ditëve të fundit konfirmuan atë çfarë kemi potencuar për kohë të gjatë mbi paligjshmërinë dhe parregullsitë e vazhdueshme në këtë ndërmarrje komunale. Ashtu siç denoncuam këtë aferë, kontratën e paligjshme dhe ekonomikisht të dëmshme të “Prishtina Parking”, njejtë do të ngrisim zërin për çdo veprim eventual me tendenca abuzive në çdo ndërmarrje apo institucion të Komunës së Prishtinës. Ndërmarrjet Publike Komunale janë pasuri e përbashkët e qytetarëve të Prishtinës dhe qëllimi i tyre primar duhet të jetë ofrimi i shërbimeve për këta qytetarë” – thuhet në reagimin e LVV-së në Prishtinë.

Fillimisht më 18 gusht, grupi i këshilltarëve komunal të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ka reaguar duke e quajtur “kontrate të dyshimtë” tenderin në vlerë 750 mijë euro.

Sipas LVV-së, ka qenë krejt e panevojshme që një kontratë e tillë të bëhet në formën si ka ndodhur, sipas tyre, nuk ka pasë asnjë emergjencë që e njejta të bëhet me procedure të negociuar dhe pa publikim të njoftimit të kontratës. LVV kanë ftuar organet kompetente t’i fillojnë hetimet për “abuzim të fondeve publike”.

“Më e rëndësishme dhe më emergjente, për qytetin dhe qytetarët, është miratimi i Rregullorës se re të “Prishtina Parking” që do ta përcakton mënyrën e operimit, se sa tenderët dhe kontratat e dyshimta që i realizon kjo ndërmarrje. Çështje në vete është vlera e kontratës. 750.000.00 euro është shuma e përcaktuar apo e negociuar në mes të “Prishtina Parking” dhe OE. Sipas njohësve të fushës, vlera reale e aplikacionit, që është objekt i kontratës, është shumfish herë më e vogël. Skandal tjetër është edhe përshkrimi i shërbimeve që ofrohen/kërkohen me këtë kontratë. Aty kemi të bëjmë me tendencë për të marrë kompetenca që janë ekskluzivitet i Policisë së Kosovës” – ka shkruar LVV në Prishtinë në rrjetin social “Facebook“.