U shkarkua nga posti i kryeshefit ekzekutiv të “Prishtina Parking” apo dha dorëheqje? - Flet Liridon Restelica

Kryeshefi ekzekutiv i derisotëm i ndërmarrjes publike “Prishtina Parking”, Liridon Restelica, ka reaguar pas njoftimit nga kryetari i Prishtinës dhe bordi i ndërmarrjes për shkarkimin e tij.

Restelica po pretendon se nuk është shkarkuar por ka dhënë dorëheqje.

Në reagimin e tij, Restelica ka thënë se  ai ka dhënë dorëheqje të premten, më 19 gusht, dhe se dorëheqjen e ka protokoluar pranë zyrës përkatëse të kompanisë ku ka kryer funksionin.

Ai ka shtuar se arsyet e dorëheqjes veçse janë të theksuara në akt-dorëheqjen.

“Sot, u trumbetua nëpër media për kinse shkarkimin tim në orët e vona të mbrëmjes. Nuk kanë pasur nevojë për rrokada të tilla pasi dorëheqja ime ishte e parevokueshme”- ka thënë Restelica në reagimin e tij, teksa ka përmendur se do t’i ndjekë rrugët ligjore për mbrojtjen e reputacionit të tij dhe kolegëve të ndërmarrjes “Prishtina Parking”

“Për të ruajtur reputacionin dhe dinjëtetin tim, do të shikoj mundësitë ligjore për mbrojtjen e reputacionit tim dhe kolegëve të ndërmarrjes publike komunale Prishtina Parking ku kam punuar me nder dhe përgjegjësi deri më tani”- thuhet në reagimin  e tij.