Presidentja Osmani takoi kryetarin e KQZ-së, diskutojnë për zgjedhjet lokale

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka zhvilluar në takim me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqin.

Sipas komunikatës së lëshuar nga Zyra e Presidentes, në takim është diskutuar për situatën me pandeminë dhe ndikimin e saj në procesin zgjedhor.

Po ashtu, kryetari i KQZ-së e ka njoftuar presidenten Osmani për përgatitjet të cilat i ka bërë KQZ-ja për organizimin e zgjedhjeve lokale.

“Presidentja Osmani ka potencuar rëndësinë e sigurimit dhe ruajtjes së integritetit të procesit zgjedhor, lehtësimit të pjesëmarrjes sa më të madhe të qytetarëve në ditën e zgjedhjeve, por mbi të gjitha rëndësinë e ruajtjes së shëndetit të qytetarëve. Ndërkaq kryetari Radoniqi tha se do të angazhohen maksimalisht për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor përbrenda kompetencave të KQZ-së”, thuhet në komunikatë.

Zgjedhjet lokale në Kosovë pritet të mbahen më 17 tetor.