Vjosa Osmani dhe Petrit Malaj - Foto: ZPRK

Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Shqipërisë, Petrit Malaj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi sot letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Republikës së Shqipërisë, Petrit Malaj.

Në komunikatën e Presidencës thuhet se presidentja Osmani e ka uruar ambasadorin për detyrën dhe shfaqi shpresën se gjatë mandatit të tij do të intensifikohen edhe më tej marrëdhëniet bilaterale mes dy shteteve.

Sipas Osmanit, bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, sidomos në unifikimin e politikës së jashtme, mbetet prioritet.

“Fuqizimi i vazhdueshëm i koordinimit diplomatik është interes jo vetëm i shteteve tona, por edhe i rajonit në tërësi”- është shprehur presidentja.

Më tej, në takim me ambasadorin Malaj, presidentja theksoi se Kosova pret që Shqipëria të jetë zë i Kosovës në mekanizmat dhe organizatat ndërkombëtare në të cilat aktualisht shteti ynë nuk ka përfaqësim.

Në kumtesë thuhet se Osmani mes tjerash e njoftoi ambasadorin Malaj edhe për zhvillimet e fundit në vend, si dhe mbi aktin e agresionit të Serbisë kundër Kosovës, me ç’rast presidentja potencoi rëndësinë e adresimit të përgjegjësisë te Serbia dhe aplikimit të masave ndëshkuese ndaj saj.

Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme të interesit të dyanshëm dhe shtruan nevojën e zbatimit të marrëveshjeve ndërshtetërore të arritura deri tash.