Presidentja Osmani në Bruksel, nesër pritet të takohet me sekretarin e NATO-s Jens Stoltenberg

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Bruksel për vizitë zyrtare në selinë e NATO-s.

Sipas njoftimit, të enjten, në orën 14:00, Osmani do të pritet nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin do të realizojë takim bilateral.

“Pas përfundimit të takimit, ata do t’i adresohen gazetarëve në një konferencë të përbashkët për media” – thuhet në njoftim.

Gjatë vizitës zyrtare në NATO, Osmani do të ketë takim edhe me Kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiralin Rob Bauer.

Ajo do të realizojë takime edhe me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në NATO, Julianne Smith si dhe me përfaqësues të shteteve të tjera aleate.

Në njoftimin e Presidencës thuhet se, Osmani do të riafirmojë vendosmërinë e popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për avancimin e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, duke filluar me programin e Partneritetit për Paqe, forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit me aleatë, në veçanti për çështje të sigurisë, mirënjohjen e popullit të Kosovës për rolin dhe kontributin e vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, si dhe përkushtimin për kontribut të përbashkët për paqe, stabilitet dhe siguri afatgjate në rajonin tonë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot ka pritur në takim pune komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jasharin, para udhëtimit zyrtar për në selinë e NATO-s.

Para udhëtimit zyrtar për në selinë e NATO-s, Osmani takohet me komandantin e FSK-së