Presidenti amerikan, Biden do ta vizitojë Izraelin
Presidenti i SHBA Joe Biden do ta vizitojë Izraelin të mërkurën, në një vizitë të rëndësishme të mbështetjes së SHBA. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i përmbylli disa orë bisedime me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në Tel Aviv herët të martën duke thënë se Biden do ta vizitojë Izraelin. “Presidenti do të dëgjojë nga Izraeli se çfarë i duhet për ta mbrojtur popullin e tij ndërkohë që ne vazhdojmë të punojmë me Kongresin për t’i përmbushur këto nevoja”, u tha Blinken gazetarëve.
600,000 banorë të Gazës janë evakuuar nga zona e qytetit të Gazës, pas paralajmërimeve nga ushtria izraelite të premten, sipas zëdhënësit të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, Jonathan Conricus. Izraeli ka paralajmëruar njerëzit që të largohen nga zona e qytetit të Gazës përpara atyre që thotë se do të jenë “operacione ushtarake të përforcuara” në ditët në vijim. Conricus tha se operacionet do të fillonin “kur koha i përshtatet qëllimit”.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit, IDF, kanë thënë se 199 familje janë njoftuar tani se të dashurit e tyre po mbahen peng. Është një rritje prej 40 familjesh, nga 155 të njoftuara në momentin e përditësimit të fundit, thotë IDF.
Hamasi kërkoi lirimin e “6000 të burgosurve meshkuj dhe femra në burgjet izraelite” në këmbim të pengjeve që mori gjatë sulmeve të tij më 7 tetor. Robërit e grupit përfshijnë “oficerë të rangut të lartë” të Forcave të Mbrojtjes izraelite (IDF), thotë Khaled Meshaal, shefi i zyrës së diasporës të Hamasit. Një zëdhënës i Hamasit ka thënë se janë “rreth 200-250” robër izraelitë në Gaza, duke kundërshtuar një deklaratë të mëparshme të ushtrisë izraelite që thoshte se kishte konfirmuar 199 pengje.
Irani ka paralajmëruar të hënën për një “veprim parandalues” të mundshëm kundër Izraelit “në orët e ardhshme”, ndërsa Izraeli përgatitet për një ofensivë tokësore në Rripin e Gazës. Teherani ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se një pushtim tokësor i Gazës së bllokuar prej kohësh do të përballej me një përgjigje nga frontet e tjera – duke nxitur frikën për një konflikt më të gjerë që mund të tërhiqet në vende të tjera. /The Guardian
Përgatiti: Nuhi Shala