Pranimi potencial në KE, çka përfitojnë qytetarët e Kosovës?

 

Ministrija për Punë të Jashtme e Republikës së Kosovës Donika Gërvalla ka bërë të ditur se Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës (më tutje referuar si: KE) ka marrë vendim t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të KE-së kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës, si hap fillestar për anëtarësim të plotë.

Anëtarësimi potencial i Kosovës në këtë organizatë do të ketë efekte të shumëfishta për Republikën dhe qytetarët e saj.

Këshilli i Evropës është organizatë e ndarë nga Bashkimi Evropian megjithatë asnjë shtet asnjëherë nuk është bërë pjesë e BE-së pa qenë fillimisht pjesë e KE-së.

KE nuk ka funksione ligjbërëse megjithatë shtynë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, në fusha të ndryshme, të arritura nga shtetet anëtare.

Organi më i njohur i kësaj organizate është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut e cila funksion në bazë të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Shtetet të cilat i bashkëngjiten KE-së e kanë obligimin ta respektojnë Konventën e lartcekur.

Por Kosova ia ngarkoi vetes respektueshmërinë e këtij akti juridik duke e bërë pjesë, qysh prej hyrjes në fuqi për herë të parë, të Kushtetutës pa qenë fare pjesë e organizatës.

Si e tillë kjo konventë ka qenë burim parësor i të drejtës, që nënkupton se qoftë në vendime gjyqësorë apo veprime të tjera juridike ajo ka pasur prioritet ndaj të gjitha ligjeve vendore apo akteve të tjera të institucioneve publike. Me fjalë të tjera i ka suprimuar apo ka qenë mbi to. Por çfarë do të ndryshojë për qytetarët e Kosovës nëse ne paraprakisht e kemi pasur obligative këtë konventë.

Ndryshimi parësorë qëndron në faktin se Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut e cila funksionon si gjykata më e lartë evropiane do të jetë një shkallë më tepër në hierarkinë juridike të cilën qytetarët mund ta ndjekin nëse besojnë se atyre i’u kanë shkelur liritë dhe të drejtat themelore.

Kjo nënkupton se pasi t’i kenë shterrur të gjitha mjetet e brendshme juridike dhe pasi vendimet përkatëse të kenë marrë formën e prerë, qytetarët do të mund ta kundërshtojnë edhe më tutje vendimin e nxjerrë nga organet vendore, dhe atë duke ja drejtuar tanimë Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Është me rëndësi të ceket se edhe të akuzuarit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të kenë mundësi t’i drejtohet GJEDNJ-së në lidhje me të gjitha vendimet e formës së prerë të nxjerra nga këto Dhoma, ka shpjeguar avokati Artan Qerkini. Por ata do të mund t’i drejtohen për ankimim kësaj gjykate vetëm për vendimet që do të merren pas anëtarësimit të Kosovës në KE, ka precizuar më tutje ai.

Është me rëndësi të theksohet se GJEDNj nuk do të zbatojë kurrfarë mandati retroaktiv. Kjo nënkupton se qytetarët mund t’i drejtohen GJEDNJ-së vetëm për vendimet që jepen pas datës së anëtarësimit të Kosovës në KE dhe jo për vendimet të cilat janë marrë para kësaj date.

Këshilli i Evropës promovon të drejtat e njeriut përmes konventave ndërkombëtare, siç janë: Konventa për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje dhe Konventa për Krimin Kibernetik. Kjo konventë do të monitorojë progresin e Kosovës në rast se bëhet anëtare në këto fusha dhe do të bëjë rekomandime përmes organeve të pavarura monitoruese të ekspertëve.

KE njihet për mekanizmin e monitorimit të pavarur si pjesë e fuqizimit të respektimit të të drejtave të njeriut në një numër të madh të fushave përfshirë: të drejtën për strehim, shëndetësi, punësim, etj…). Kjo nënkupton, për shembull, që nëse Kosova pranohet, në të gjitha vendet e ndalimit të shtetit tonë (përfshirë burgjet, stacionet e policisë, qendrat e mbajtjes së shtetasve të huaj) Komiteti i Këshillit të Evropës për Parandalimin e Torturës do të ketë të drejtë të bëjë vizita të paparalajmëruara në mënyrë që të vlerësoj se si trajtohen tek ne njerëzit e privuar nga liria.

Një shembull tjetër është Grupi i Shteteve kundër Korrupsionit (Greco), i cili identifikon mangësitë në politikat kombëtare kundër korrupsionit dhe inkurajon shtetet të kryejnë reformat e nevojshme legjislative, institucionale ose administrative. Vlerësimi i tij bazohet në konventat përkatëse të Këshillit të Evropës.

Një tjetër përparësi do të jenë edhe mundësitë e mëdha për edukim që KE i ofron për fushat e saj me interes për dhjetëra mijëra të interesuar veçanërisht nga shtetet anëtare ndonëse jo vetëm.

Për të gjithë këta mekanizma monitorues KE ka mekanizmin implementues/zbatues e që është pikërisht GJEDNJ.