Pothuajse një vit më vonë, lufta e Rusisë kundër Ukrainës mund të vazhdojë në tre skenarë

Vija e frontit mund të jetë nën acarin e ftohtë, mirëpo beteja ushtarake po vazhdon në Ukrainë. Në Bakhmut, një qytet të cilin Moska e sheh si kyç për marrjen e kontrollit të të gjithë zonës Lindore të Donbasit, javët e kaluara kanë dëshmuar tkurrjen e shpejtë të rezervave ushtarake dhe qindra trupa të vrarë dhe të plagosur në ditë, sipas analistëve amerikanë.

Gjithçka, deri tani, për një ngërç.

Kjo është Ukraina, pothuajse një vit pasi Rusia e pushtoi atë më 24 shkurt të vitit 2022. Shumë “vëzhgues të Rusisë” me përvojë nuk arritën ta parashikonin konfliktin ushtarak, duke besuar se Vladimir Putin thjesht po i parkonte trupat e tij në kufirin e saj me Ukrainën për ta penguar zgjerimin e BE-së dhe NATO-s në sferën e saj të ndikimit, në një shfaqje të “diplomacisë së metaleve të rënda”. 

Deri më tani, konflikti ka sjellë shumë “surpriza” ushtarake, diplomatike dhe strategjike. Nga njëra anë, Moska është befasuar nga rezistenca luftarake e forcave ukrainase dhe mbështetja e BE-së dhe Shteteve të Bashkuara për Kievin. Nga ana tjetër, kancelarive perëndimore u është dashur gjithashtu të përballen me kanalet e bllokuara diplomatike në Kombet e Bashkuara dhe mbështetjen e matur për Rusinë nga ana e Kinës, Indisë dhe disa vende afrikane. Pavarësisht nga një sërë sanksionesh perëndimore që kanë si qëllim ta kthejnë Rusinë në një pariah (të padëshiruar) ndërkombëtare, Moska vazhdon t’i përvetësojë efektet e tyre me plot elan. Dhe shkalla e migrimit ukrainas në Evropë i ka lënë gojëhapur shumë kryeqytete perëndimore.

Ne vlerësojmë se konflikti mund të zhvillohet në tre skenarë të ndryshëm.

Skenari 1: Rusia pëson një dështim të madh

Në skenarin tonë të parë, Rusia nis një ofensivë të re në Kiev, si dhe në Donbass dhe provincën e Khersonit.

Megjithatë, këto sulme dështojnë. Rusia pëson humbje të mëdha në njerëz dhe në një pjesë të madhe të katër provincave të aneksuara ilegalisht në shtator të vitit 2022. Ajo zbulon se nuk e ka përmbushur qëllimin e saj fillestar strategjik që kishte si qëllim ndryshimin e regjimit në Kiev. Ukraina i rimerr bastionet ruse dhe niset drejt Krimesë.

Disa faktorë i japin vulën kësaj humbjeje ruse. Në frontin e brendshëm, është bërë më sfiduese mobilizimi i burrave, me individë të kualifikuar që ikin masivisht. Komanda ka hasur në vështirësi për t’i trajnuar efektivisht rekrutët e rinj dhe baza teknologjike dhe industriale e mbrojtjes (DTIB) tani shfaq shenja rraskapitjeje. Sanksionet perëndimore vazhdojnë të godasin, ndërsa kriza në qarqet qeverisëse po përhapet edhe më shumë.

Në Ukrainë, suksesi i këtij skenari varet nga disa faktorë. Së pari, ky vend i ka rezistuar konsumit të luftës dhe gëzon stabilitet politik përpara zgjedhjeve parlamentare të vjeshtës 2023. Ndihma ushtarake evropiane dhe amerikane derdhet vazhdimisht dhe ushtria ukrainase ka arritur t’i mbajë disa fronte njëkohësisht.

Në Dhjetor të vitit 2022, Shefi i Shtabit Valeri Zaloujny e konvertoi këtë sukses në numra: 300 tanke, 600-700 automjete luftarake këmbësorie dhe 500 hoëitzerë.

Në arenën ndërkombëtare, ky skenar supozon se Rusia e humb pozicionin e forcës që i është dhënë në vitin 2022 nga rritja e çmimeve të energjisë. Kjo do të kërkonte që klientët e saj të gjenin burime alternative të furnizimit.

Në planin afatgjatë, ky skenar do t’i hapte rrugën një armëpushimi dhe përfundimisht drejt negociatave të vërteta të paqes (që nuk do të ishte sinonim i fitores ruse). Për Ukrainën, me një fitore të arrtur nuk do të kishte “negociata”; do të kthehej në kufijtë e saj origjinalë, rusët do të ndiqen penalisht për krime lufte dhe gjithashtu do të paguanin për dëmin.

Megjithatë, nëse humbja ruse është e ashpër, çrregullimi i brendshëm politik mund ta paralizojë udhëheqjen dhe të krijojë kaos në Moskë, duke e privuar këtë nga aftësia për t’u përfshirë realisht në negociata. Rusia do të duhej ta konsideronte luftën të humbur përgjithmonë duke e ruajtur një zinxhir efektiv komandimi. Dy çështje të frikshme për t’u trajtuar do të ishin fati i Krimesë dhe anëtarësimi në NATO. Si përmbledhje, ky skenar do të bazohej në kundër-ofensivat e suksesshme të Ukrainës nga gushti deri në nëntor të vitit 2022.

Skenari 2: Rusia shënon sukses evident

Skenari i kundërt sheh një seri fitoresh ushtarake për Rusinë nga fundi i dimrit. Rusia rimerr pjesën më të madhe të provincës Kherson, e kërcënon Kievin zyrtar drejtpërdrejt nga Bjellorusia dhe marshon drejt Odesës. Duhet të plotësohen disa kushte për një rezultat të tillë – kryesori është molisja njerëzore dhe materiale e ukrainasve.

Nga ana ruse, Kremlini zyrtar i fiton disa fusha ku deri vonë ka dështuar. Trupat e mobilizuara në vjeshtën e vitit 2022 janë trajnuar dhe dislokuar në mënyrë efektive në mënyrë taktike. Zinxhirët e furnizimit qëndrojnë në tri frontet kryesore (veri, lindje dhe jug). Duke mësuar nga kundërofensiva ukrainase, ushtria ruse i ka vendosur qendrat e saj logjistike përtej mundësive të HIMARS, raketës së prodhuar nga SHBA.

Suksese të tilla do të shihnin një fitore të qartë ruse në Ukrainë, me aneksime të paligjshme të konsoliduara në lindje të vendit dhe një qeveri pro-ruse. Ukrainës do t’i mungonte uniteti që është i nevojshëm për ta rindërtuar vendin.

Për Ukrainën, ky skenar i rastit më të keq mund të materializohej nëse do të ndodhnin disa zhvillime. Para së gjithash, forcat e armatosura do të rraskapiteshin shumë dhe do të përballeshin me probleme të furnizimit me armë. Do të shihnim gjithashtu një presidencë më të dobët të Zelenskyt, ndoshta nën presionin e një skandali përvetësimi, “partia e paqes” ose, përkundrazi, nga nacionalistët që kërkojnë pushtet më të fortë. Qeveria mund të dështojë ta ruajë mbështetjen perëndimore ose të lodhet nga opinionet perëndimore.

Ndërkombëtarisht, ky skenar supozon një vazhdimësi të eksporteve ruse të energjisë në Azi dhe një strategji çmimi nga ana e fuqive të gazit. Moska do t’i shfrytëzonte plotësisht rrjetet e saj diplomatike, duke gëzuar mbështetje të madhe nga Kina përballë ndikimit amerikan. Ndërkohë, ndikimi i qeverive pro-ukrainase në Poloni dhe vendet e Evropës Veriore në Bashkimin Evropian do të ishte në rënie. Që stuhia të bëhet perfekte, një zhvillim ndërkombëtar, i tillë si kriza në Tajvan do të konsumonte vëmendjen e SHBA-së.

Skenari 3: Luftë e tejzgjatur

Një rezultat i tretë i këtij konflikti mund ta ofrojë pamundësinë e të dy protagonistëve për të fituar epërsinë mbi tjetrin gjatë një periudhe disavjeçare.

Kjo manifestohet në një stabilizim të vijave kryesore të frontit, pasi betejat vazhdojnë të shpërthejnë mbi lokalitete të rëndësisë dytësore (kryqëzime rrugore, brava lumenjsh, ura). Për shembull, Moska mund ta rifillojë ofensivën ndaj Kievit me sukses të kufizuar dhe t’i përqendrojë përpjekjet e saj në konsolidimin e Donbasit.

Nga ana tjetër, Ukraina mund të përpiqet të shtyjë avantazhin e saj nga Khersoni në jug për ta kërcënuar Krimenë. Ky skenar nuk i përjashton luftimet intensive dhe suksesin e kufizuar nga të dyja palët. Këto opsione nuk do ta ndryshonin ekuilibrin e përgjithshëm të konfliktit.

Disa faktorë mund të kombinohen për të sjellë një situatë të tillë. Ndihma ushtarake perëndimore mund të arrijë një “nivelizim” për shkak të gjendjes së stoqeve dhe natyrës së armëve. Luftaria ukrainase mund të mbetet pa i prodhuar efektet spektakolare të fundit të verës 2022 për shkak të një “kurbe të të mësuarit” nga pala ruse, veçanërisht në artikulimin midis ushtrive të ndryshme.

Nga ana ruse, kjo status quo e dhunshme mund të ndodhë për shkak të kufijve strukturorë të mjetit të saj ushtarak: ngurtësia taktike, logjistika e mangët, frontet e shtrira dhe zinxhirët e furnizimit, kufijtë e burimeve njerëzore, kultura e gënjeshtrës në administratat publike, etj.

Faktorët ekzogjenë mund të çojnë në prishje ushtarake dhe diplomatike. Asnjëra palë nuk është në gjendje ta detyrojë popullsinë dhe aleatët e saj t’i pranojnë negociatat bazuar në balancën aktuale ushtarake të fuqisë. Për Rusinë, nuk ka pasur sukses të qartë; për Kievin, integriteti territorial ende nuk është rivendosur. Hyrja në negociata do të ishte një pranim i dështimit për Vladimir Putinin dhe do ta vinte në rrezik të njëjtin. Për Volodymyr Zelenskyn, pranimi i bisedimeve do të ishte një heqje dorë që do ta bënte atë ta humbiste mbështetjen shumë të gjerë që gëzon aktualisht si brenda ashtu edhe jashtë Ukrainës.

Me këtë skenar, Ukraina do të shndërrohej në vitin 2023 një konflikt i ri i pazgjidhur në hapësirën post-sovjetike./The Conversation

Përgatiti: Nuhi Shala