Posta e Kosovës fillon përgatitjet për uljen e pagave

Një muaj para hyrjes në fuqi të Ligjit për pagat në sektorin publik, Posta e Kosovës ka miratuar planin e biznesit duke marrë për bazë edhe këtë ligj që do t’i prekë ndërmarrjet publike.

“Ne kemi miratuar një plan të biznesit dhe në kuadër të planit të biznesit kemi paraparë që ligji për pagat e sektorit publik që do të hyjë në fuqi nga 1 dhjetori do t’i prekë ndërmarrjet publike. Pra ne po e respektojmë vetëm ligjin”, ka thënë kryetari i Bordit të Postës së Kosovës, Halit Isufi.

Isufi ka deklaruar për KALLXO.com se nuk do të ketë ulje të pagave por do të respektohet Ligji për paga i cili është miratuar në Kuvendin e Kosovës.

“Kanë filluar të thonë se tash do të ulen pagat, do të bëhet termet por kjo nuk ka të bëjë me ulje të pagave por ka të bëjë vetëm me respektim të ligjit i cili është miratuar në Kuvend të Kosovës”, ka shtuar Isufi për KALLXO.com.

Njësia për monitorimin e ndërmarrjeve publike e cila është në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik ka dërguar një letër në adresë të ndërmarrjeve publike të Kosovës në lidhje me implementimin e Ligjit për pagat në sektorin publik.

Neni 27 i Ligjit për pagat në sektorin publik mbulon kompetenca për caktimin e pagave në ndërmarrjet publike.

Në këtë nen thuhet se organet kolegjiale drejtuese të ndërmarrjeve publike, me kapital mbi 50 për qind shtetëror, miratojnë, nivelet e pagave të punonjësve të tyre të caktuar nga Qeveria, brenda koeficientit minimal 1 dhe koeficienti maksimal 7.

Pra paga më e ulët në këto ndërmarrje mund të jetë 239 euro kurse më e larta 1673 euro.

Ndërsa për ndërmarrjet publike, veprimtaria e të cilave është me humbje, ose që subvencionohen nga shteti, Qeveria e Kosovës, me propozim të Komisionit ndërministror për ndërmarrje publike, miraton, me akte të veçanta, nivelin e pagave dhe të shtesave për performancën e punonjësve të tyre.

Në paragrafin 3 të këtij neni, Komisioni Komunal i Aksionarëve, për ndërmarrjet publike, me kapital mbi 50 për qind të zotëruar nga komunat, cakton nivelet e pagave të punonjësve të tyre, brenda koeficientit minimal 1 dhe koeficientit maksimal 5.

Letra nga Ministria për uljen e pagave shkakton ‘tërmet’ në ndërmarrjet publike