Kryetari i Sindikatës: Pjesëtarëve të stafit civil të Policisë pagat u kanë dalë pa rritje, policëve pa shtesat për rrezikshmërinë

Sot gjatë ditës janë ekzekutuar pagat sipas Ligjit të ri për paga të punonjësve të sektorit publik.

Për pjestarët e stafit civil të Policisë së Kosovës pagat janë ekzekutuar pa rritje, ndërsa policëve të uniformuar pagat u kanë dalë pa shtesën e rrezikshmërisë.

Kështu ka njoftuar për KALLXO.com kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri.

“Ekzekutimi i pagave për policinë dhe pjesëtarët të gjithë, është bërë në ora 16:00. Reagimi është me pakënaqësi, për arsye se zyrtarëve policorë që janë të uniformuar pagat u kanë dalë pa shtesën e rrezikshmërisë kurse te pjesa e stafit civil kanë marrë pagë të njëjtë, pa rritje, si në janar”- ka thënë ai.

Ai ka thënë se këto informacione i ka marrë nga pjesëtarë të Policisë të Kosovës, ndërsa ka shtuar se nesër pret të marrë informacione zyrtare lidhur me atë se pse pagat janë ekzekutuar në këtë formë.

Zeqiri për KALLXO.com tha se policët janë shprehur të pakënaqur me këto paga.

“Janë pakënaqësi prej të gjithë atyre që më kanë kontaktuar deri më tani, janë pakënaqësi të mëdha”- tha tutje ai.

Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë njoftuar se shtesat për muajin shkurt do të paguhen në mënyrë retroaktive në pagën e muajit mars pasi sipas tyre po vazhdon procesi i mbledhjes së të dhënave dhe finalizimit të listave nga ana e komisioneve.

“Përkundër punës intensive të komisioneve për përcaktim të shtesave, procesi i mbledhjes së të dhënave dhe finalizimit të listave është duke vazhduar, andaj njoftojmë të gjithë zyrtarët publikë se shtesat e sipërpërmendura për muajin shkurt do të paguhen në mënyrë retroaktive në pagën e muajit mars”- thuhet në njoftim.

Më 1 shkurt, Qeveria e Kosovës ka prezantuar vlerën e koeficionetit mbi të cilin do të llogaritet paga e 80 mijë punëtorëve të sektorit publik. Vlera e koeficientit për vitin 2023 do të jetë 105 euro ndërsa në vitin 2024 sipas Qeverisë do të jetë 110 euro.

Pagën dhe koeficientin për 13 pozitat e zinxhirit që përbën Policinë e Kosovës mund ta gjeni në këtë LINK.