Rojet në kufirin Poloni-Bjellorusi. Foto: REL

Poloni, plane për një referendum mbi çëshjten e pranimit të emigrantëve

Kryeministri i Polonisë njoftoi se partia e tij synon të mbajë një referendum për t’i pyetur qytetarët nëse mbështesin pranimin e “mijëra emigrantëve të paligjshëm nga Lindja e Mesme dhe Afrika”.

Kryeministri Mateusz Morawiecki njoftoi pyetjen e referendumit në një video të publikuar në rrjetet sociale.

Ai tha se partia e tij, Ligji dhe Drejtësia, po përpiqet të përdorë çështjen e emigrantëve në fushatën e saj zgjedhore, një taktikë që e ndihmoi të merrte pushtetin më 2015. Partia e tij konservatore po përpiqet të ruaj shumicën në zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen në tetor.

Polonia strehon më shumë se një milion refugjatë ukrainas, të cilët janë kryesisht të bardhë dhe të krishterë, por zyrtarët e kanë bërë të qartë prej kohësh, se ata i konsiderojnë myslimanët dhe të tjerë nga kultura të ndryshme si kërcënim për identitetin kulturor dhe sigurinë e kombit.

Në muajin qershor, ministrat e Brendshëm të BE-së miratuan një plan për të ndarë përgjegjësinë për emigrantët që hyjnë në Evropë në mënyrë të paligjshme, një çështje që ka krijuar një prej krizave politike më të gjata të bllokut.

Qeveria polake synon të mbajë referendumin së bashku me zgjedhjet parlamentare, të planifikuara për 15 tetor.

Kryeministri Morawiecki tha se pyetja do të jetë: “A e mbështesni pranimin e mijëra emigrantëve të paligjshëm nga Lindja e Mesme dhe Afrika nën mekanizmin e vendosur të zhvendosjes së detyruar nga burokracia evropiane?”/VOA