Policia shpenzon rreth 32 mijë euro për jelekë, ombrella speciale për Njësinë e Mbrojtjes së Afërt

Institucioni kyç i sigurisë, Policia e Kosovës, pritet që të pajiset me dhjetëra jelekë taktikë, ombrella speciale e kufje nga një kompani e cila është rekomanduar për dhënie të tenderit, vlera e së cilës 31 mijë e 917 euro.

Në maj të këtij viti Policia e Kosovës kishte hapur tender për t`u pajisur me pajisje policore për nevoja taktike.

Pra, policia ka hapur tender që të pajiset me 80 copë jelekë taktikë të brendshëm, të cilët mund të vishen nën xhaketa, 7 ombrella të veçanta të cilat janë me rezistencë speciale për VIP dhe 50 copë kufje për radiolidhje trepalëshe.

Vlera e parashikuar e kësaj kontrate paraprakisht prek çmimin prej 35 mijë e 700 euro.

Kriteri e dhënies së kontratës parasheh çmimin më të ulët që ofertojnë kompanitë e interesuara.

Për ta pajisur policinë me këto mjete mbrojtëse kanë aplikuar tri kompani, e një prej tyre është treguar e përgjegjshme dhe është rekomanduar për nënshkrim të kontratës.

Ombrellat e veçanta, Foto: Policia e Kosoves
Jeleket taktik, Foto: Policias e Kosoves

Kompania e rekomanduar për nënshkrim të kontratës, pra që Policia e Kosovës e ka shpërblyer me kontratë është “Fitim R. Bilalli B.I”. Kjo kompani ka ofertuar çmimin prej 31 mijë e 917 euro, për ta pajisur policinë me jelekët taktikë, ombrellat e veçanta dhe kufjet.

Dy kompanitë e tjera që kanë aplikuar në këtë tender janë “Diari” me bazë në Prishtinë me çmimin e ofertuar prej 34 mijë e 907 eurove dhe kompania “Tenzor I.S.S” në Prishtinë me çmimin më të ulët të ofertuar për këtë tender, gjithsej 29 mijë e 995 euro.

Policia e Kosovës në bazë të përgjigjeve në aplikime ndaj kompanive, i ka përmendur faktin kompanisë që ka rekomanduar për kontratë “Fitim R. Bilalli B.I” se ka ofruar çmimin më të ulët, por në fakt ka qenë e dyta për çmimin më të ulët.

Në letrën standarde të dërguar për kompaninë e eliminuar, Policia e Kosovës i ka thënë se kompanisë “Diari” nuk i plotëson të gjitha specifikacionet teknike që janë kërkuar në dosjen e tenderit pasi që, jeleku taktik nuk është i përshtatshëm për bartje nën sako, nuk është taktik për pajisje të zyrtarëve të Njësisë së Mbrojtjes së Afërt.

Ngjashëm përgjigje i kanë dhënë edhe kompanisë tjetër “Tenzor I.S.S”.

Rekomandimi për nënshkrim të kontratës, është bërë më datë 20 korrik pra muajin e kaluar ndërsa gjatë ditës së sotme dhe është publikuar në E-Prokurim.

Ombrellat e veçanta, policia konrektisht Njësia e Mbrojtjes së Afërt i përdor për të eleminuar ndonjë rrezik potencial drejtuar personalitetit që po mbron.

Kujtojmë se muajin e kaluar pas një rrahje në Kuvendin e Kosovës, Njësia e Mbrojtjes së Afërt u detyrua që të hyjë brenda sallës ku po mbahej seanca pas ftesës së kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca.

Madje NjMA u pa që përdori edhe ombrella të veçanta për të mbrojtur në këtë rast VIP-në e tyre, Kryeministrin Albin Kurti.

Përdorimi i ombrellave nuk u pa vetëm në rastin e Kurtit, ato u përdorën edhe në të kaluarën kur sulmohej me vezë nga ish- opozita në atë kohë, Lëvizja Vetëvendosje, ish- Kryeministri Isa Mustafa.

Kompania “Fitim R. Bilalli B.I” nuk është e para herë që ka fituar tender nga Policia e Kosovës.

Në janar të vitit të kaluar KALLXO, raportoi se e njëjta kompani kishte fituar tenderin për blerjen e disa radarëve të dorës për Policinë e Kosovës.