Foto: Policia e Kosovës

Policia sekuestron mallra pa dokumente në një depo në Leposaviq

Në një depo në Leposaviq, Policia e Kosovës ka sekuestruar sot pije alkoolike e joalkoolike, cigare, vaj, sheqer e produkte të tjera ushqimore pa dokumente përkatëse.

Policia thotë se veprimet hetimore e operative u ndërmorën pas pranimit të informacionit për këtë dyshim.

“Pas dyshimit se është kryer vepra penale ,,Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore” është njoftuar edhe njësiti anti-kontrabandë nga Dogana e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes” – thuhet në komunikatë.

Kontrolli ka rezultuar me sekuestrimin e 500 litrave pije alkoolike (verëra e birra), 200 litrave pije joalkoolike, 450 litrave vaj, 500 kilogramëve sheqer, 300 kilogramëve produkte të tjera ushqimore dhe 10 boksave cigare pa banderola.

Mbi bazën e këtyre veprimeve, Policia thotë se është krijuar dyshimi se pronari i depos dyshohet se ka kryer veprën penale – shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore.

Të gjitha veprimet hetimore kanë qenë në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.