Shpërthimi në Zubin Potok

Policia për shpërthimin në Ibër-Lepenc: Sulm i qëllimshëm, akt kriminal terrorist

Disa orë pas raportimeve se ka ndodhur një shpërthim në Zubin Potok mbrëmjen e datës 29.11.2024, nga u dëmtua një pjese e kanalit të ujit të Ibër-Lepencit, Policia e Kosovës ka dalë me një komunikatë për këtë rast.

Sipas njoftimit të Policisë, rreth orës 19:00 kanë siguruar informacione se në veri të vendit, në fshatin Varagë të Zubin Potokut është sulmuar dhe dëmtuar infrastruktura kritike e kanalit të ujit “Ibër Lepenci”.

“Njësitet relevante policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe lidhur me rastin kanë njoftuar të gjitha institucionet kompetente, atë të Emergjencave, Ujësjellësit, Ibër Lepencit dhe KEK-ut” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 30.11.2024.

Policia thotë se i kanë ndërmarrë masat e nevojshme të sigurisë në mënyrë që ta ndalin rrjedhjen e ujit si dhe mundësisë së sanimit të kanalit të ujit.

Nga njësitë e Policisë është konstatuar tashmë se shpërthimi në Zubin Potok ishte sulm i qëllimshëm e akt kriminal terrorist.

“Njëkohësisht nga Policia e Kosovës, njësia për trajtimin e materieve eksplozive janë duke u kryer hetime intensive dhe ekzaminime në vendin e ngjarjes, nga të cilat është konstatuar se shpërthimi/detonimi ka qenë sulm i qëllimshëm, akt kriminal terrorist i kryer nga person/a të dyshuar” – ka theksuar Policia.

Për këtë rast i kanë njoftuar edhe institucionet ndërkombëtare të sigurisë në vend.

“Policia e Kosovës, ka rritur masat e sigurisë në lokacionet sensitive dhe do të vazhdojë të punojë intensivisht drejt zbardhjes dhe ndriçimit të rastit, për të cilin nga hetimet fillestare ekziston dyshimi i bazuar se sulmi ka qenë i qëllimshëm dhe i kryer me eksploziv nga individ apo grup kriminal, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale” – ka shtuar Policia.

Policia shton po ashtu se do të përdorë të gjitha aftësitë dhe asistencën nga komuniteti ndërkombëtar për të hetuar provat dhe për të gjetur personat përgjegjës për dëmtimin e furnizimit me ujë të vendit, të furnizimit të termocentraleve e të Zubin Potokut.

“Së bashku, do të përpiqemi për të gjetur individët përgjegjës për këtë rast e edhe për sulmet tjera ndaj stacionit të policisë në Zveçan dhe ndërtesës së komunës” – ka premtuar Policia.

Si rrjedhojë, Policia ka kërkuar nga qytetarët që mund të kenë ndonjë informacion për këtë rast të lajmërohen në stacionin më të afërt të Policisë ose në mënyrë anonime duke përdorur numrat kontaktues: 192, 080019999, 038 550 999 dhe në [email protected].

Ekipi i KALLXO.com ishte në vend të ngjarjes në Zubin Potok dhe ka parë ekipe të shumta të Policisë së Kosovës që ndodhen në atë zonë ku ndodhi shpërthimi. Para pak çastesh, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte konferencë për media për këtë çështje.

Në vend të ngjarjes u pa edhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla bashkë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Sveçla u deklarua para mediave dhe shpërthimin në Zubin Potok e quajti akt terrorist. Ai ka vlerësuar se ky akt ishte një mesazh edhe për partnerët ndërkombëtarë të Kosovës se elementet terroriste nuk dëshirojnë që paqja të sundoj në pjesën e veriut të vendit.

“Eksplodimi është jashtëzakonisht i madh. Po e shihni, do të thotë i gjithë kanali i Ibër-Lepencit në këtë pikë është pamundësuar funksionaliteti, është demoluar komplet. Është, mund të themi lirisht akti më i madh ndaj infrastrukturës kritike që nga përfundimi i luftës në Kosovë” – ka deklaruar Sveçla.

Tutje, ai foli edhe për eksplozivin që dyshohet se është përdorur për ta shkaktuar shpërthimin në Zubin Potok, sasia e të cilit mendohet të jetë rreth 15 kilogramë.

“Policia ka dalë në vendin e ngjarjes me ç’rast është pa se si rezultat i një akti terrorist një pjesë e kanalit të Ibër-Lepencit, e cila është cilësuar si infrastrukturë kritike është dëmtuar seriozisht. Nuk dihet ende për saktësinë e saktë të eksplozivit. Sipas ekspertëve të Policisë së Kosovës, të cilët presin që të përforcohen edhe me ekspertë nga KFOR-i, flitet për diku 15 kilogramë eksploziv” – ka thënë Sveçla.

Shpërthimin në Zubin Potok e kanë dënuar ambasadorë e udhëheqës të organizatave ndërkombëtare në Kosovë. Përveç tyre, ka pasur reagime edhe nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryetarët e partive politike – AAK, LDK e PDK.

Lajm në Zhvillim: Shpërthim në Zubin Potok, dëmtohet kanali i ujit të Ibër-Lepencit