Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në Zubin Potok, Foto: Adelina Ahmeti/KALLXO.com

Sulmi në Ibër-Lepenc, ministri Sveçla deklarohet nga vendi i ngjarjes

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, është deklaruar para mediave nga vendi i ngjarjes ku dyshohet se ndodhi shpërthimi në Zubin Potok dhe e dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, mbrëmjen e datës 29.11.2024.

Sipas ministrit Sveçla, shpërthimi në Zubin Potok është një akt terrorist. Ai ka vlerësuar se ky akt ishte një mesazh edhe për partnerët ndërkombëtarë të Kosovës se elementet terroriste nuk dëshirojnë që paqja të sundoj në pjesën e veriut të vendit. 

Sveçla e ka përshkruar edhe dëmin që është shkaktuar në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.

Sipas tij, para orës 19:00 është raportuar në Polici se është dëgjuar një shpërthim në atë zonë.

“Eksplodimi është jashtëzakonisht i madh. Po e shihni, do të thotë i gjithë kanali i Ibër-Lepencit në këtë pikë është pamundësuar funksionaliteti, është demoluar komplet. Është, mund të themi lirisht akti më i madh ndaj infrastrukturës kritike që nga përfundimi i luftës në Kosovë” – ka deklaruar Sveçla.

Tutje, ai foli edhe për eksplozivin që dyshohet se është përdorur për ta shkaktuar shpërthimin në Zubin Potok, sasia e të cilit mendohet të jetë rreth 15 kilogramë.

“Policia ka dalë në vendin e ngjarjes me ç’rast është pa se si rezultat i një akti terrorist një pjesë e kanalit të Ibër-Lepencit, e cila është cilësuar si infrastrukturë kritike është dëmtuar seriozisht. Nuk dihet ende për saktësinë e saktë të eksplozivit. Sipas ekspertëve të Policisë së Kosovës, të cilët presin që të përforcohen edhe me ekspertë nga KFOR-i, flitet për diku 15 kilogramë eksploziv” – ka thënë Sveçla.

“Nuk po flasim për armë të vogla, po flasim për eksploziv që nuk është e lehtë të gjendet në tregun e zi. Kjo patjetër se vjen nga rezervat, stoqet e eksplozivit të Serbisë” – ka shtuar Sveçla.

Ai njoftoi se momentalisht ka ndërprerje të furnizimit me ujë për disa qytete dhe po ashtu për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

“Momentalisht janë duke u shfrytëzuar rezervat aktuale, por po punojmë që ekipet e angazhuara nga Ibër-Lepenci, KEK-u, të sanojnë gjendjen. Një sanim emergjent që do të mundësonte që KEK-u të furnizohet me ujë, i cili është i domosdoshëm për funksionimin normal të turbinave të Kosovës A dhe Kosovës B. Po ashtu, prej Ibër-Lepencit furnizohen Zubin Potoku, Mitrovica e Jugut, Mitrovica e Veriut, Vushtrria, Drenasi, një pjesë e Prishtinës, e gjithë Fushë Kosova” – ka treguar Sveçla.

Ministri ka theksuar se qëllimi i këtij shpërthimi në Zubin Potok është disfunksionalizimi i jetës në këtë rajon.

“Pamundësimi i shërbimeve elementare dhe shkaktimi i frikës në masë. Ky akt terrorist është vazhdimësi e dy akteve ma të hershme terroriste në komunën e Zveçanit dhe në Zubin Potok” – ka thënë ai.

Sveçla njoftoi po ashtu se njësitë e shumta janë të angazhuara për të konstatuar se si ka ndodhur akti dhe po hetohen kryerësit e kësaj vepre. Me këtë rast ka folur edhe për “vullnetin e Serbisë” që mendon se është i ndërlidhur në këtë ngjarje që ndodhi në Zubin Potok.

“Vullneti i tyre nuk është që të ketë paqe në këtë rajon. Ata siç duket po tentojnë që të shfrytëzojnë situatën kur realisht kemi eskalim konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës, kur kemi një ndërrim të qeverisjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës” – tha Sveçla.

Bashkë me të, në vend të ngjarjes ishte edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Ekipi i KALLXO.com është në vend të ngjarjes dhe ka parë ekipe të shumta të Policisë së Kosovës që ndodhen në atë zonë ku ndodhi shpërthimi. Para pak çastesh, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte konferencë për media për këtë çështje.

Lajm në Zhvillim: Shpërthim në Zubin Potok, dëmtohet kanali i ujit të Ibër-Lepencit