Ilustrim

Policia ndalon për 48 orë një zyrtar kadastral, dyshohet se ndryshoi kufijtë kadastralë të një parcele toke

Policia e Kosovës ka shqiptuar masën e ndalimit prej 48 orësh ndaj një personi zyrtar të një komune në Kosovë nën dyshimin se ka kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas një komunikate, zyrtari dyshohet se ka ndërhyrë në sistem duke ndryshuar kufijtë kadastralë të një parcele toke pronë e ankuesit në favor të një pale të tretë, duke ia mundësuar parcelës së tij qasjen në një rrugë publike në mënyrë të kundërligjshme.

“Policia e Kosovës, Sektori për Hetime Financiare nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion ka pranuar informata lidhur me rastin se person/a zyrtar nga zyra kadastrale e një Komune kanë ndërhyrë në sistem duke ndryshuar kufijtë kadastral të një parcele tokësore pronë e ankuesit në favor të një pale të tretë duke ja mundësuar parcelës së tij qasjen në një rrugë publike në mënyrë të kundërligjshme”- thuhet në njoftim.

Policia thotë se këtë veprim i njëjti dyshohet se e kryen përkundër faktit që kjo parcelë toke kishte masë të përkohshme të vendosur nga Gjykata e Prishtinës, dhe me këtë dyshohet të ketë kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Më 28.05.2024, i dyshuari është ftuar për intervistim, i cili, sipas Policisë, në prezencë të avokatit të tij mbrojtës është mbrojtur në heshtje.

Pas përfundimit të proceduarve të intervistimit ndaj të dyshuarit Prokuroria e Prishtinës ka shqiptuar masën e ndalimit prej 48 orësh për procedura të mëtejme.