Një nga parullat në protestë në Mitrovicë të Veriut, Foto: KALLXO.com

Policia me deklaratë pas protestës në Mitrovicën Veriore

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me protestën që u mbajt mesditën e sotme – 12.02.2024 në Mitrovicë të Veriut nga qytetarë serbë të cilët protestuan kundër Rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës.

Sipas një komunikate për media, Policia e Kosovës tha se në protestë morën pjesë rreth 1,800 qytetarë, përfshirë ata të cilët nga rajone të ndryshme kanë ardhur në formë të organizuar me autobusë e vetura.

Ky tubim përfundoi në mënyrë të qetë dhe pa ndonjë incident, bën të ditur Policia.

Policia njoftoi se me kohë ka ndërmarrë masat e nevojshme policore me qëllim të ofrimit të sigurisë, ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike para, gjatë dhe pas përfundimit të protestës.

Gjithashtu u njoftua se ashtu siç parashihet me ligjin mbi tubimet publike, protesta ka qenë e paralajmëruar nga organizatori, e që në këtë rast ka qenë Shoqata e pensionistëve si dhe parimisht ishte marrë pëlqimi nga autoritetet komunale për shfrytëzimin e hapësirës publike.

“Policia e Kosovës ç’do herë ka njohur dhe njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”- thuhet në komunikatën e Policisë.

KALLXO.com raportoi nga terreni lidhur me mbarëvajtjen e kësaj proteste.

Qindra qytetarë serb dolën me parulla në sheshin “Car Llazar” në Mitrovicë të Veriut, në të cilat shkruhej “Pensionin tërë jetën e kam bërë, nuk ia jap Kurtit”; “Evropë hapi sytë”; “Pa ndihmë sociale nuk do të kemi as ushqim”.

Mitrovicë e Veriut, protesta e serbëve kundër vendimit të BQK-së për dinarin

Nga 1 shkurti 2024 në Kosovë ka hyrë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për operacione me para të gatshme. Rregullorja parasheh që valuta e vetme për pagesa të jetë euroja, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.

Të gjitha institucionet financiare që do të importojnë para në Kosovë nga 1 shkurti 2024 do të duhet të kenë një leje speciale dhe autorizim nga BQK.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se shteti i tij i ka 31,831 të punësuar në Kosovë, 29,115 pensionistë – prej të cilëve 4,700 i marrin pensionet në dorë – si dhe 31,586 shfrytëzues të ndihmës sociale.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zbatimi i rregullores po bëhet përmes një periudhe tranzicioni, duke insistuar se vendimi i BQK-së nuk nënkupton ndalimin e dinarit serb.

Vendimi për Rregulloren e BQK-së u kritikua nga diplomatë e organizata ndërkombëtare.

Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Komisioni Evropian kanë kritikuar Kosovën për veprim të njëanshëm dhe të pakonsultuar.

Javën e kaluar u mbajtë edhe një seancë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB), e cila ishte thirrur me kërkesë të Serbisë, pas vendimit të Kosovës për të ndaluar dinarin serb dhe për shkak të mbylljes së disa komunave paralele serbe.

Në këtë seancë, Serbia përfaqësohej nga presidenti Aleksandar Vuçiq, ndërkaq Kosova përfaqësohej nga kryeministri Albin Kurti.

Mitrovicë e Veriut, protesta e serbëve kundër vendimit të BQK-së për dinarin