Foto: Afrim Ejupi/KALLXO.com

Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për kapjen e Shkelzen Ahmetit, i dyshuar për plagosjen e tre personave

Policia e Kosovës është duke kërkuar ndihmën e qytetarëve për informacione të mundshme që do të çonin në arrestimin e Shkelzen Ahmetit, i dyshuar për plagosjen e tre personave në Gjakovë.

Përmes një postimi në Facebook, Policia e Kosovës sot me 19.03.2024 ka publikuar fotografinë e Ahmetit, ndaj të cilit është hapur rast për “vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armëve”.

“Në lidhje me rastin nuk është arritur të sigurohet prezenca e personit në fjalë, edhe përkundër angazhimeve hetimore dhe operative nga ana e Sektorit Rajonal të Hetimeve dhe njësiteve tjera në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia ka kërkuar nga qytetarët që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e Ahmetit, të lajmërojë policinë, qoftë përmes numrave të telefoni 192, 080019999 (pa pagesë) dhe 045/930-220, apo përmes aplikacionit “lajmëro policinë” si dhe në stacionin më të afërt policor.

Shkelzen Ahmeti dyshohet se me 10.03.2024 ka plagosur me armë zjarri tre persona në një lokal në Gjakovë.

KALLXO.com ka raportuar se ai është zyrtar në Drejtorinë e Emergjencave në Komunën e Gjakovës.

Më herët, Ahmeti kishte pasur pozitë tjetër si zyrtar në Qendrën e Regjistrimit Civil në Gjakovë.

Gjatë kohës sa ishte zyrtar në këtë institucion, Ahmeti kishte një rast për të cilin ishte akuzuar, ndërsa në fundmi Gjykata e Apelit e ka liruar edhe nga akuza e fundit e cila rëndonte ndaj të njëjtit.

I kërkuari nën dyshimet për plagosjen në Gjakovë, zyrtar në Drejtorinë e Emergjencave