Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e 39-vjeçares nga Vasileva e Drenasit

Policia e Kosovës po kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e një 39-vjeçareje nga fshati Vasilevë i Drenasit, e cila është raportuar e zhdukur më 27 tetor 2023.

Sipas njoftimit, bëhet fjalë për Shqipe Zekajn, e lindur në vitin 1984.

Që nga dita e raportimit deri më tani Policia thotë se njësitet policore të hetimeve, kërkimeve si dhe patrullat në koordinim me prokurorinë përkatëse dhe në bashkëpunim të ngushtë me familjarët, kanë ndërmarrë një varg veprimesh.

“Intervistime të personave që mund të ndihmojnë në gjetjen e vendndodhjes së personit, kontrollimi i hyrje- daljeve, në të gjitha pikat kufitare, kërkime në zona që personi kishte frekuentuar zakonisht (ambiente të mbyllura dhe të hapura), analizimi dhe hetimi i çdo lloj informacioni që lidhet me personin”- janë disa nga veprimet e Policisë.

Policia thekson se edhe pse veprimet dhe kërkimet policore janë duke vazhduar, pas marrjes së autorizimit nga ana e prokurorit të shtetit, po kërkojnë kontribut edhe nga qytetarët për gjetjen e Zekajt.

Të gjithë ata që kanë çfarëdo lloj informacioni, që ndërlidhet me të, t’ia kalojnë ato Policisë përmes numrit 192.